Kryengritësit në Bagdat shpërthyen makina bombë në dy objektiva të ushtrisë irakiane duke vrarë të paktën 11 ushtarë dhe plagosur 28 të tjerë. Policia tha se sulmi i parë u krye në bazën ushtarake irakiane në qendër të qytetit. Shtatë ushtarë u vranë.
Një autobombë tjetër shpërtheu në një postbllok në jug të Bagdatit duke vrarë katër ushtarë të tjerë. Grupi terrorist i Abu al Zarqawit mori përgjegjësinë për shpërthimin e parë me anë të një mesazhi në internet, vërtetësia e të cilit ende nuk është provuar.
Shpërthimet pasojnë vrasjen të martën të një gjykatësi kurd dhe djalit të tij avokat, të cilët punonin për gjykatën e posaçme irakiane që po gjykon Sadam Huseinin dhe ndihmësit e tij. Një i afërt i tyre tha se të dy u ekzekutuan kur po dilnin nga shtëpia e gjykatësit në Bagdatin verior. Nuk është ende e qartë nëse vrasjet lidhen me punën e tyre në gjykatë. Por të hënën gjykata tha se kishte prova të mjaftueshme për të filluar procedurat kundër 5 të pandehurve, përfshi vëllanë nga nëna të Sadam Huseinit.