Lidhje

Shqipëri: Vazhdojnë debatet për datën e zgjedhjeve


Në Shqipëri vazhdojnë debatet lidhur me datën e zgjedhjeve të ardhshme politike. Të mërkurën Komisioni i ligjeve rrëzoi një projektligj të opozitës i cili synonte të afronte me një muaj afatin kohor për caktimin e datës. Të enjten pritet që parlamenti të miratojë ndarjen e re të zonave elektorale, gjë që do i hapte rrugë formimit të komisioneve zonale. Emërimi i anëtarëve të këtyre komisioneve nga partitë politike është parë me shqetësim nga reporterët e Këshillit të Europës, të cilët prej dy ditësh po zhvillojnë takime në Tiranë.

Data e zgjedhjeve mbetet ende e papërcaktuar ndërsa koha sa vjen e kufizohet. Presidenti i Republikës ka patur konsultime me përfaqësues të partive të ndryshme politike. Edhe për një çështje të tillë qëndrimet mes pozitës dhe opozitës janë të kundërta.

Sipas kushtetutës zgjedhjet duhet të mbahen 60 deri në 30 ditë para mbarimit të mandatit të parlamentit dhe për pasojë kufiri kohor i parashikuar për këtë rast është 3 korrik deri në 3 gusht.

Përpjekja e opozitës për të afruar këtë afat me një muaj, me anë të një projektligji duket se ka dështuar. Komisioni i ligjeve në parlament e rrëzoi të mërkurën këtë propozim. Opozita e quan të papranueshëm zhvillimin e zgjedhjeve në fillim të korrikut kur ka filluar dhe sezoni i pushimeve verore dhe vazhdon t’i kërkojë presidentit Alfred Moisiu që të ngrihet mbi palët dhe interesat e tyre e të gjykojë objektivisht për përcaktimin e datës.

Ndërsa debatet duket se do të vazhdojnë për këtë çështje, parlamenti do të mbyllë nesër një tjetër kapitull i cili hëngri shumë kohë dhe diskutime, atë të ndarjes së re të zonave. Të mërkurën socialistët nga ana e tyre morën vendim si grup parlamentar që të mbështesin ndarjen e zonave pavarësiht pakënaqësive individuale të shprehura nga deputetët.

Votimi i së enjtes pritet të jetë thjesht formal pas marrëveshjes së arritur mes dy forcave kryesore. Ai do t’i hapë rrugë formimit të komisioneve të zonave, proces i cili sipas afateve ligjore do të duhej të ishte mbyllur brenda ditës së nesërme.

Përbërja dhe funksionimi i komisioneve zonale do të jetë një nga pikat kyçe në procesin zgjedhor, duke qenë se do të
jenë këto komisione që do të bëjnë edhe numërimin e votave.

Reporterë të Këshillit të Europës të cilët që prej dy ditësh po zhvillojnë takime në Tiranë pikërisht për çështjet e zgjedhjeve, kanë shprehur shqetësim për faktin që në Kodin e ri nuk u arrit të gjendej një zgjidhje që të zhvishte politikisht anëtarët e komisioneve zonale.

Eksperienca e zgjedhjeve të kaluara ka dëshmuar qartë se si mosmarrëveshjet mes komisionerëve ka bllokuar për një kohë të gjatë shpalljen e rezultateteve.

Për anëtarët e komisioneve është parashikuar nisja e menjëhershme e trajnimeve, por dhe ky hap vështirë se mund të ofrojë shumë siguri përsa kohë që ligji parashikon zëvendësimin e një komisioneri edhe dy orë përpara nisjes së votimit.

XS
SM
MD
LG