Lidhje

Feja dhe shteti, debat mbi 10 Urdhëresat


Gjykatës së Lartë amerikane po i kërkohet të vendosë nëse ekspozimi publik i 10 Urdhëresave në ndërtesat dhe pronat e qeverisë përbën shkelje të nenit të kushtetutës së vendit që nuk e lejon qeverinë të përkrahë fenë. Gjykata dëgjoi ditët e fundit argumentat e dy rasteve që lidhen me këtë çështje.

Jashtë Gjykatës së Lartë, të krishterë evangjelistë u mblodhën të këndonin e luteshin me shpresën se do të ndikonin tek 9 gjykatësit që ata të vendosnin në favor të ekspozimit të 10 Urdhëresave në ndërtesa qeveritare në Teksas dhe Kentucky apo pranë tyre. Çështja e Teksasit ka të bëjë me një monument graniti i cili përmban tekstin e plotë të 10 Urdhëresave, për të cilat librat e shenjtë hebrenj dhe të krishterë thonë se i janë dhënë Profetit Moisi nga Zoti.

Por ata që e konsiderojnë si mbështetje të fesë nga qeveria ekspozimin e këtij monumenti, i cili ka qendruar në Houston, kryeqyteti i Teksasit, për më shumë se katër dekada, kërkojnë heqjen e tij. Ekspozime të tilla në vende publike janë në kundërshtim me parimin e ndarjes së kishës nga shteti që garantohet në kushtetutë.

Prokurori i Përgjithshëm i Teksasit, Gregg Albott, po drejton lëvizjen për mbajtjen e monumentit. Ai foli me gazetarët pasi kishte paraqitur argumentet e veta para Gjykatës së Lartë.

“Është krejtësisht në përputhje me kushtetutën që një qeveri të njohë një simbol apo tekst fetar përsa kohë që është po aq e qartë që qeveria nuk po e përkrah zyrtarisht fenë. Pikërisht kështu qendron puna me ekspozimin e 10 Urdhëresa”.

Kundër ekspozimit argumentoi profesori i drejtësisë në Duke University, Ervin Chemerinsky.

“Sigurisht që qeveria mund t’i vendosë 10 urdhëresat në prona publike, por duhet ta bëjë këtë në mënyrë që nuk përkrah fenë, që nuk synon përhapjen e saj. Mendoj se pozicioni i ynë për të dy rastet është se këto ekspozime duke patur parasysh kontekstin dhe historinë e tyre janë në kundërshtim me kushtetutën”.

Rasti tjetër lidhet me kopje të 10 Urdhëresave të varura në mjediset e brendshme të dy gjykatave në Kentacky. 275 pjesëtarë të një kongregacioni baptist në Kentucky morën me qera një autbus për të ardhur në Washington në mënyrë që të mund të luten para Gjykatës Supreme. Carter Stewart, është klerik baptist që udhëhoqi këtë delegacion.

“Ekspozimi i 10 Urdhnesave është i rëndësishëm për ne, sepse thjeshtë ato janë fjala e Zotit dhe ne e ndjejmë se kombi ynë është themeluar mbi parimet e Zotit dhe të krishterimit”.

Pak metra më tutje, një grup më i vogël ateistësh mbanin parulla dhe brohorisnin sllogane për heqjen e 10 Urdhëresave. Rick Wingrove është drejtor i degës lokale të Virxhinias për shoqatën Ateistët Amerikanë. Ai u pyet se ç’do të ndodhë sikur Gjykata Supreme të vendoste që këto ekspozime janë të ligjshme.

“Do të ishte vendim i gabuar. Do të ishte një braktisje e parimeve të Kushtetutës së Presidentit Thomas Jefferson dhe do të kishim të bënim me një favoritizëm zyrtar për fenë e krishterë në Shtetet e Bashkuara, gjë që do të ishte tepër keq për ateistët, që kanë arritur në një përfundim të ndryshëm lidhur me fenë nga ai që kanë këta njerëz”.

Administrata e Presidentit Bush mbështet përpjekjet për mbajtjen e monumentit me 10 urdhëresat në Teksas dhe Kentucky. Në fakt, ekspozime të ndryshme të 10 Urdhëresave janë të zakonshme në sheshe qytetesh dhe gjykata në mbarë vendin, përfshirë edhe vetë sallën e Gjykatës Supreme. Gjykata pritet të marrë vendim në lidhje me këtë çështje para korrikut.

XS
SM
MD
LG