Lidhje

OSBE i bën thirrje institucioneve shqiptare që të shpejtojnë punën për zgjedhjet


Në Shqipëri zyra e Osbe-së u bëri sot thirrje institucioneve të vendit që të vazhdojnë me shpejtësi punën për përgatitjen e zgjedhjeve politike të kësaj vere. Duke përshëndetur miratimin dje në parlament të ndarjes së re të zonave, Osbe ka kërkuar që Minisria e pushtetit vendor dhe kryetarët e bashkive dhe komunave të bashkëpunojnë për përgatitjen e listave të zgjedhësve dhe ngritjen e një strukture të centralizuar për përpunimin e të dhënave.

Tani që ndarja e zonave elektorale u mbyll si kapiull, sfida e radhës mbeten listat e votuesve, një problem që në të kaluarën e sidomos në zgjedhjet për pushtetin vendor të vitit 2003 u bënë shkak për kundërshti të forta nga ana e opozitës mbi legjitimitetin e rezultateve. Hartimi i listave është në fazën fillestare. Në fund të muajit të kaluar u mbyll procesi i verifikimit dhe regjistrimit të popullsisë, hapi i parë drejt përpunimit të listave.

Por çuditërisht kodi i ri electoral, i hartuar me ekspertë të huaj të sjellë nga Osbe-ja ka lënë një boshllëk që mund të prodhojë sërish polemika dhe konflikte. Ekspertët ndërkombëtar dhe ata të partive politike shqiptare kanë harruar të përcaktojnë se kush do të bëjë përpunimin e të dhënave për listat. Kodi vetëm sa ia ka besuar detyrën e hartimit kryetarëve të bashkive dhe komunave, por nuk ka saktësuar se cili do të jetë organi që do të bëjë korrigjimet për të shmangur që i njejti emër të figurojë në dy komuna apo dy qendra të ndryshme votimi.

Zyra e Osbe-së sot deklaroi se përgatitjet e suksesshme të zgjedhjeve kërkojnë mbështetjen e Ministrisë së Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit dhe të kryetarëve të bashkive e komunave në përgatitjen e listave të zgjedhësve, ndër të tjera, për ngritjen e një strukture të centralizuar për përpunimin e të dhënave. Kjo bën të mundur, thuhet në deklaratën e Osbe-së, eliminimin e dublimeve dhe pastrimin e të dhënave nga secili prej kryetarëve të bashkive e komunave. Osbe-përshëndeti gjithashtu miratimn dje në parlament të ndarjes së re zonale. Miratim i cili u arrit pas një periudhe të gjatë polemikash mes dy forcave kryesore.

Përplasjet të cilat kishin një karakter të pastër politik nuk siguruan një ndarje sipas standarteve. Sipas ambasadorit të Osbe-së Pavel Vacek, “kufijtë e përcaktuar me Ligjin i ri për Caktimin e Zonave Zgjedhore përbëjnë një përmirësim në krahasim me ndarjen e mëparshme të zonave, megjithëse disa prej tyre nuk i përmbushin të gjitha kërkesat ligjore”.

Megjithatë miratimi nga parlamenti i hapi rrugë procesit të ngritjes së komisioneve zonale. Osbe në deklaratën e sotme “i nxit partitë politike, që kanë të drejtë të përfaqësohen në Komisionet Zgjedhore Zonale, të propozojnë sa më shpejt përfaqësuesit e tyre, në mënyrë që t’i japin mundësi KQZ-së t’u ofrojë trajnimin e nevojshëm për të siguruar përgatitjen në kohë dhe me rregull të zgjedhjeve”.

XS
SM
MD
LG