Lidhje

Rupel: Jam optimist se bisedimet për statusin e Kosovës do të fillojnë këtë vit


Kryetari i radhës i Organizatës për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë, ministri i jashtëm slloven, Dimitrij Rupel, i tha Zërit të Amerikës se bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës mund të fillojnë këtë vit dhe se për këto bisedime do të duhet të shtrohen në tryezë disa kushte të pashmangëshme, për shembull, se nuk do të ketë kthim në periudhën para vitit 1999 dhe se ndarja territoriale e Kosovës nuk duhet shtruar për diskutim. Në një intervistë me kolegun Ilir Ikonomi, zoti Rupel iu përgjigj edhe pyetjeve mbi rolin e OSBE-së në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryetar, a e ndani ju optimizmin e shprehur nga shefi i Unmikut Soren Jessen-Petersen se bisedimet për statusin e Kosovës mund të fillojnë këtë vit?

Dimitrij Rupel: Unë natyrisht që jam po aq optimist sa edhe zoti Soren Jessen-Petersen. Mendoj se ai është një administrator jashtëzakonisht i aftë por edhe një vëzhgues i mprehtë i situatës në Kosovë. Siç e dini, unë e kam vizituar Kosovën disa herë, edhe kohët e fundit. Nga ajo që dëgjova nga Jessen-Petersen dhe nga ç’kam parë nga bisedimet e mija me përfaqësuesit më të lartë të qeverisë kosovare, duhet të them se ka patur përparim dhe shpresoj se raporti i përkohshëm që ne presim aty nga maji, qershori apo korriku do të jetë pozitiv përsa i përket zbatimit të standardeve. Ky është një element me shumë rëndësi në kalendarin e ngjarjeve. Nëse ky raport është pozitiv, atëhere ne mund të vazhdojmë me bisedimet që do të përfshijnë edhe konsideratat për statusin e ardhshëm. Natyrisht, nga pala tjetër opinionet janë të ndryshme, pra le të presim për të parë se çdo të ndodhë.

Zëri i Amerikës: Pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Kofi Annan, ju thatë se Kosova do të jetë një përparësi e juaja gjatë kryesisë së radhës në OSBE. A mendoni se në Kosovë mund të krijohet një gjendje e rrezikshme nëse bisedimet për statusin vonohen?

Dimitrij Rupel: Kjo është një pyetje komplekse dhe një çështje komplekse. Natyrisht, unë mendoj se duhet që së pari të shikohet gjendja aktuale në Kosovë. Atje ka zëra rreth një aktpadie të mundshme dhe shpresoj se nëse aktpadia bëhet fakt, ajo në asnjë mënyrë nuk do të ndikojë mbi qendrueshmërinë e gjendjes. Mendoj se udhëheqja e Kosovës është e vetëdijshme për faktin se ajo duhet të vazhdojë reformën, se duhet të plotësojë atë që është programuar dhe le të shpresojmë se nuk do të kemi prishje të stabilitetit.

Zëri i Amerikës: Por sa ju shqetëson ju një aktpadi e mundëshme ndaj kryeministrit Haradinaj?

Dimitrij Rupel: Në fakt unë kam sigurime, si të thuash se nuk do të ndodhë asgjë dramatike nëse aktpadia ngrihet. Pra kam besim se udhëheqja e Kosovës e kupton situatën dhe kontrolli i gjendjes do të kontribuonte në përparimin e Kosovës. Nëse do të lindin probleme të mëdha, atëhere zhvillimi në aspekte të tjera do të pengohej. Një ditë ne do të na duhet të përballemi me debatin për statusin e ardhshëm të Kosovës dhe kjo mund të thuhet me siguri.

Zëri i Amerikës: Si politikan dhe studiues slloven, ju e kuptoni më mirë se kushdo se sa e rëndësishme është zgjidhja një herë e mirë e çështjes së Kosovës. Çfarë statusi do të propozonit ju për Kosovën? Jam i sigurt se ju keni menduar për një kohë të gjatë rreth kësaj.

Dimitrij Rupel: Nuk më takon mua të propozoj zgjidhje konkrete. Mund t’ju them se ne në Slloveni kemi patur diskutime për këtë çështje, kemi diskutuar në Bashkimin Evropian dhe unë kam biseduar me Sekretarin e Përgjithshëm si dhe me personalitete të tjera. Tani unë e shikoj se opinionet po shkojnë në një drejtim: se bisedimet për statusin do të duhet të fillojnë herët a vonë, ndoshta këtë vit, se për këto bisedime do të shtrohen në tryezë disa kushte, të cilat janë të pashmangëshme, për shembull se nuk do të ketë kthim në periudhën para vitit 1999, ndarja e Kosovës as që diskutohet, askush nuk do të shprehej për ndarjen e Kosovës dhe mendoj se ne duhet ta shikojmë Kosovën si një entitet. Por një element i rëndësishëm në këto konsiderata është se përfaqësuesit shqiptarë, qeveria duhet t’i kushtojnë një vemendje të madhe pakicës serbe. Mendoj se pa këtë vemendje ndaj pakicës serbe nuk mund të ketë zgjidhje të mira. Kam marrë përgjigje qetësuese për këtë çështje kur isha në Kosovë. Mendoj se udhëheqja e tanishme është e vetëdijshme për këtë element të situatës. Do të jetë gjithashtu e nevojshme të bindim miqtë tanë serbë në Kosovë se ata duhet të marrin pjesë në proceset politike. Ata duhet të identifikohen me Kosovën dhe jo ta shikojnë veten si pjesë të Serbisë. Si politikan slloven dhe kryetar radhe i OSBE-së unë do të desha të kontribuoja për një afrim midis serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë si dhe midis politikanëve kosovarë dhe politikanëve serbë në Beograd. Kam shpresë se këtë vit ky dialog do të rifillojë.

Zëri i Amerikës: Një pyetje e fundit lidhur me Shqipërinë. Në Shqipëri, disa politikanë ende thonë se OSBE-ja nuk është e nevojshme dhe pikërisht në një kohë kur vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja këtë verë. Cilat janë komentet tuaja?

Dimitrij Rupel: Unë kam në plan të vizitoj Tiranën, natyrisht. Kam shumë respekt për zhvillimet që kanë ndodhur në Shqipëri kohët e fundit. Ky është një vend që po zhvillohet shpejt dhe në drejtimin e duhur. Më kujtohet periudha para 10-15 vjetësh kur gjendja ishte shumë më e paqartë dhe shumë më pak optimiste, ndërsa tani unë jam optimist. Natyrisht, OSBE-ja nuk mund të bëjë mrekullira. Ajo është atje për t’i ndihmuar proceset demokratike. Nëse OSBE-ja është e nevojshme dhe e mirëpritur, ne mund të punojmë atje, nëse jo, ne mund edhe të largohemi.

Zëri i Amerikës: Zoti kryetar, ju faleminderit.

Dimitrij Rupel: Ju faleminderit.

XS
SM
MD
LG