Lidhje

John Bolton, ambasadori i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara në OKB


Presidenti Bush emëroi John Bolton si ambasadori i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara.

Duke folur sot me gazetarët, Sekretarja e Shtetit Kondolisa Rajs, tha se zoti Bolton është një diplomat me përvojë, i cili di si të arrijë rezultate. Sekretarja Rajs tha se zoti Bolton do të jetë një zë i fuqishëm për reforma në OKB.

Aktualisht, zoti Bolton është nën-sekretar i shtetit për kontrollin e armëve dhe sigurimin ndërkombëtar. Në atë detyrë, ai ndihmoi në organizimin e Nismës për Sigurimin e Mos-përhapjes së Armëve, një përpjekje globale për të ndalur përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë. Ai ka folur hapur lidhur me izolimin e Iranit dhe të Koresë së Veriut për shkak të programeve të tyre të dyshuara për armët bërthamore.

Nën-sekretari Bolton njihet për stilin e tij të të folurit pa dorashka, që nganjëherë ka shkaktuar fërkime me vende të tjera. Por sekretarja Rajs tha se disa prej ambasadorëve më të mirë të Washingtonit kanë qënë ata që janë shprehur hapur.

Në se konfirmohet nga senati amerikan, zoti Bolton do të zëvëndësojë John Danforth, i cili doli në pension në janar.

XS
SM
MD
LG