Lidhje

Intervistë me Këshilltarin e Komisionit Amerikan të Helsinkit, Bob Hand


Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, veproi në mënyrë të përgjegjshme ndaj akuzave të Gjykatës së Hagës, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës, Këshilltari i Komisionit amerikan të Helsinkit, Bob Hand, i cili përshëndeti edhe reagimin e popullit të Kosovës ndaj zhvillimeve të fundit. Dhuna, tha ai, nuk është aspak në interesin e Kosovës, veçanërisht për momentin dhe shfaqi shpresën që reagimi pozitiv i Kosovës të vazhdojë edhe në të ardhmen. Sipas zotit Hand, trajtimi i pakicave në Kosovë vazhdon të jetë problematik.

Zëri i Amerikës: Zoti Hand, falemnderit për intervistën. Siç e dini, ndaj kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, të martën u ngrit akt-padia nga Gjykata e Hagës. Një ditë më vonë, dje zoti Haradinaj shkoi në Hagë. Si i shikoni ju zhvillimet e fundit në Kosovë, e veçanërisht në Prishtinë?

Bob Hand: Nuk dua të flas rreth vetë akt-padisë sepse duket që ekzistojnë prova, në bazë të cilave u ngrit padija, por në të njëjtën kohë nuk është zhvilluar gjyqi dhe zoti Haradinaj gëzon të drejtën që të mbrohet. Nuk më takon mua të them në se zoti Haradinaj duhet apo jo të jetë në Hagë, kjo i takon Hagës, por dua të them se ish kryeministri i Kosovës, bëri atë që duhet të bënte, pavarësisht në se i pëlqeu apo jo fakti që kundër tij u ngrit padija. Ai dha dorëheqjen dhe u largua nga Kosova duke e lënë atë të funksionojë sa më normalisht që është e mundur. Ai veproi si duhet duke iu përgjigjur ngritjes së akt-padisë duke shkuar menjëherë në Hagë, ku do t’i duhet të mbrohet ndaj akuzave të ngritura kundër tij. Mendoj se ai veproi në mënyrë të përgjegjshme. Dhuna nuk është aspak në interesin e Kosovës e të asnjë njeriu. Një gjë e tillë mund të thuhet në çdo kohë, por për momentin edhe më shumë akoma. Tani është koha që të tregohet që udhëehqësit politikë në Kosovë dhe në rajon si dhe popullata në përgjithësi reagon ndaj zhvillimeve të caktuara në një mënyrë të përgjegjshme. Një gjëndje e tillë është në favor të Kosovës dhe me të vërtetë shpresoj që ajo të vazhdojë.

Zëri i Amerikës: Mënyra se si zoti Haradinaj iu përgjigj ngritjes së akuzës dhe thirrja e tij për qetësi drejtuar popullit shqiptar u përshëndet nga shumë qeveri dhe individë të ndryshëm. Kësaj liste i shtoheni edhe ju sot. Duke pasur parasysh të gjitha ngjarrjet brënda më pak se 48 orësh, a mendoni ju se këto zhvillime do të kenë ndikim tek dialogu Prishtinë-Beograd?

Bob Hand: Këto zhvillime mund të kenë ndikim në bisedimet midis Prishtinës dhe Beogradit. Fakti që zoti Haradinaj ishte kryeministër dhe në se ndaj tij nuk ngrihej padija, ende do të qarkullonin akuzat se ai duhej të paditej, akuza se gjykata e Hagës ngre akt-padi ndaj disa njerzve dhe jo ndaj disa të tjerëve. Vendimi i Hagës hesh poshtë të gjithë këto argumente, që mund të ishin pengesë për dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit. Në të njëjtën kohë, ngritja e padisë dhe zhvillimet që pasuan nuk përbëjnë të vetmet probleme kur flasim rreth dialogut Prishtinë-Beograd. Ende ekzistojnë probleme të tjera që duhen zgjidhur. Dorëzimi i zotit Haradinaj në Hagë nuk është një siguri se gjërat tani do të ecin mirë, por një gjë është e sigurtë se ngritja e padisë ndaj Ramush Haradinajt nuk do të bëhet pengesë ndaj çdo lloj përparimi që mund të arrihet.

Zëri i Amerikës: Komuniteti ndërkombëtar përshëndeti qëndrimin e zotit Haradinaj dhe shfaqi shpresë se populli i Kosovës do të tregojë mënçuri dhe pjekuri duke ruajtur gjakftohtësinë lidhur me këtë çështje. Megjithatë, u bënë thirrje që populli i Kosovës të respektojë të drejtat e pakicave në vend. A mund të bëni një vlerësim të gjendjes së pakicave në Kosovë dhe ç’mendoni ju si do të ndikojnë zhvillimet e fundit në këtë drejtim?

Bob Hand: Trajtimi i pakicave në Kosovë vazhdon të jetë problematik dhe një aspekt negativ për Kosovën. Mbetet ende shumë për t’u bërë në këtë drejtim për sa i përket kthimit të të shpërngulurve, lirisë së lëvizjes dhe për sa i përket mundësisë për të jetuar dhe për të pasur një të ardhme në Kosovë. Pardje në një seancë diskutimesh që zhvilloi Komisioni amerikan i Helsinkit, bashkë-kryetari i komisionit, kongresmeni Kris Smith iu referua kësaj çështjeje kur foli me kryetarin e radhës së OSBE-së, Dimitrij Rupel. Duke pasqyruar edhe qëndrimin e OSBE-së, zoti Smith tha se standartet që i janë vënë Kosovës duhet të përmbushen pavarësisht nga statusi. Këto janë standarte që çdo vend duhet të përmbushë në Evropë, pavarësisht nga statusi i tyre. Përparimi në fushën e të drejtave të pakicave nuk duhet kushtëzuar në asnjë mënyrë me çështjen e vazhdimin të dialogut. Edhe në këtë drejtim mbetet ende shumë punë për t’u bërë.

Zëri i Amerikës: Zoti Hand, me që përmendët standartet e vëna nga komuniteti ndërkombëtar për t’u përmbushur nga Kosova. Si do ta vlerësonit ju përparimin e bërë nga shqiptarët drejt përmbushjes së standarteve para statusit?

Bob Hand: Është qëndrimi i OSBE-së që përparimi drejt përmbushjes së standarteve duhet të bëhet me një rritëm shumë më të shpejtë dhe duhet të ishte në një nivel më të avancuar se sa është aktualisht. Ne kemi arritur gjithashtu në përfundimin se përparimi kërkon bashkëpunimin e të dyja palëve. Dhe në se përparimi bëhet, në se ka shenja që shqiptarët e Kosovës janë të hapur për integrimin e popullatës pakicë, respektimin e të drejtave të tyre, t’u japin atyre mundësinë të jetojnë në Kosovë; një përpjekje e tillë do të përshëndetej. Dhe në këtë mënyrë përparimi do të shtohej; në se tregohen shenja të vullnetit të mirë ndaj pakicave, pakicat nga ana e tyre do ta përshëndeste këtë dhe gjeste të tilla do të shkonin zinxhir, duke përmirësuar kështu jetën për të gjithë në Kosovë. Kjo është pikërisht ajo që presim të shikojmë ne nga shumica shqiptare në Kosovë dhe nga pakicat, pavarësisht nga statusi. Ose me pak fjalë vullneti i mirë nga të dyja palët.

XS
SM
MD
LG