Lidhje

Zgjedhjet në Maqedoni, provë për qëndrueshmërinë


Zgjedhjet në Maqedoni shihen si një provë e rëndësishme për qendrueshmërinë e saj dhe për angazhimin e Shkupit lidhur me ndarjen e pushtetit midis shumicës maqedonase dhe pakicës shqiptare.

Këto zgjedhje vendore kanë të bëjnë kryesisht me decentralizimin dhe ndarjen e pushtetit. Katër vjet më parë, Maqedonia u zhyt në konflikt dhe përballej me mundësinë e një lufte civile. Shqiptarët përbëjnë një të katërtën e popullsisë dymilionëshe të Maqedonisë. Kriza përfundoi me marrëveshje për paqe të arritur me ndërmjetësimin e qeverive perëndimore. Në qendër të marrëveshjes ishte premtimi për decentralizim, i cili do t’u jepte shqiptarëve pushtet të vërtetë në zonat ku ata jetojnë.

Duke filluar nga muaji korrik, qeveritë e reja vendore që po zgjidhjen aktualisht do të kenë shumë më tepër kompetenca në çështjet e edukimit, të policisë, të rrugëve dhe të sistemeve sanitare. Shqiptarët do të mbizotërojnë në ato zona ku ata janë shumicë. Këtu përfshihet Tetova dhe qytete të tjerë në afërsi të kufirit të Maqedonisë me Shqipërinë dhe Kosovën.

Zoran Tanevski, zëdhënësi i komisionit zgjedhor, thotë se fushata për të 85 këshillat vendorë ishte e fuqishme dhe përgjithësisht kaloi pa incidente. Balotazhi për kandidatët për kryetarë komunash që nuk fitojnë shumicën në raundin e parë do të zhvillohet më 27 mars.

"Këto zgjedhje, mund të thuhet se janë një lloj prove për përparimin demokratik në shoqërinë tonë. Dhe, duke patur parasysh se Maqedonia synon të bëhet anëtare e Natos dhe e Bashkimit Evropian, neve na duhet të tregojmë se kemi arritur standarde të rëndësishme demokratike," tha zoti Tanevski.

Që pas shkëputjes nga Jugosllavia në vitin 1991, hapat e Maqedonisë përsa i përket zhvillimit të zgjedhjeve të drejta kanë qenë për t’u patur zili. Zgjedhjet e tanishme u monitoruan nga rreth dy mijë vëzhgues zyrtarë dhe jo-zyrtarë.

Gjordji Ivanov, profesor i politikës në Universitetin e Shkupit, thotë se gara për Shkupin do të jetë veçanërisht interesante sepse ky post ka rëndësi kombëtare. Profesor Ivanov thotë se prania e tre kandidatëve shqiptarë ka të ngjarë t’ja mohojë kryebashkiakut të tanishëm një fitore qysh në raundin e parë.

"Nuk mendoj se Risto Penov do të mund të fitojë në raundin e parë. Sepse më parë, kandidati që ka patur sukses gjithnjë ka fituar me votën e shqiptarëve. Por tani, votat e shqiptarëve do t’u shkojnë kandidatëve shqiptarë." Profesor Ivanov parashikon se dy kandidatët maqedonas që do të konkurojnë në raundin e dytë do të përpiqen shumë për të siguruar mbështetjen e shqiptarëve.

Diplomatët përgjithësisht e vlerësojnë lart Maqedoninë për përparimin e arritur në aspektin e pajtimit etnik. Ish udhëheqësi i kryengritjes shqiptare të vitit 2001, Ali Ahmeti, tani kryeson Bashkimin Demokratik për Integrim, parti që bën pjesë në koalicionin qeverisës. Kjo parti ndodhet përballë një sfide elektorale nga një tjetër parti e shqiptarëve të Maqedonisë.

XS
SM
MD
LG