Lidhje

Dobbins: Komuniteti ndërkombëtar duhet të bëj të qartë objektivin në Kosovë


Është e rëndësishme për komunitetin ndërkombëtar, veçanërisht për Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, që ta bëjnë të qartë objektivin e tyre në Kosovë. Kështu u shpreh në një intervistë për Zërin e Amerikës, analisti James Dobbins i Korporatës Rand. Sipas zotit Dobbins, në këtë fazë, nuk është e dobishme që popullata e Kosovës të lihet në pasiguri për sa i përket objektivit përfundimtar të procesit të përmbushjes së standarteve. Zoti Dobbins mbështet pavarësinë e Kosovës brënda kufijve të tanishëm me garanci për një farë autonomie për grupet e pakicave, veçanërisht për pakicën sërbe dhe kjo, thotë ai, duhet të jetë objektivi final.

Zëri i Amerikës: Zoti Dobbins, zhvillimet e fundit në Kosovë janë pritur pozitivisht nga komuniteti ndërkombëtar. Mund të thuhet se të paktën për monentin Kosova, populli i saj dhe udhëheqësit e saj politikë, përfshirë këtu veçanërisht ish kryeministrin Haradinaj, kanë krijuar një imazh pozitiv. Ç’mund të bëjnë tani shqiptarët e Kosovës që ta çojnë edhe më tej këtë imazh.

James Dobbins: Mendoj se shqiptarët duhet të vazhdojnë të përpiqen me përgjegjësi të arrijnë objektivin e tyre, që për shumicën e popullatës është pavarësia brënda kufijve të tanishëm. Dhe këtë ta bëjnë në një mënyrë paqësore dhe të përgjegjshme, duke treguar se janë gati të bashkëpunojnë me komunitetin ndërkombëtar dhe se janë gati t’u sigurojnë pakicave, veçantërisht pakicës sërbe, garanci të vërteta për të drejtat e njeriut e mbrojtjen e tyre si dhe një status dinjitoz.

Zëri i Amerikës: Përveç përshëndetjeve në adresë të Kosovës nga shumë vende, qeveri dhe individë të ndryshëm, a mund të presin shqiptarët ndonjë gjë tjetër në shkëmbim të pjekurisë dhe gjakftohtësisë që treguan në këtë rast. Gjithashtu si do të ndikojë çështja Haradinaj në qëndrimin negociues të Beogradit në bisedimet me Prishtinën.

James Dobbins: Mendoj se komuniteti ndërkombëtar është i angazhuar të bëjë hapa përpara drejt statusit final të Kosovës. Mendohet në përgjithësi që procesi do të fillojë këtë vit dhe shqiptarët e Kosovës duhet të presin nga komuniteti ndërkombëtar të bëjë atë që ka thënë se do të bëjë. Zhvillimet e fundit në Kosovë do të kenë ndikim të madh në qëndrimin negociues të Sërbisë për sa i përket pjesëmarrjes në Bashkimin Evropian, NATO dhe në përfshirjen në komunitetin euro-atlantik. Dorëzimi i zotit Haradinaj në Hagë do të ketë një ndikim më pak të rëndësishëm për sa i përket bisedimeve lidhur me vetë Kosovën. Beogradi do të ishte më i intersuar të përfitonte nga anëtarësia në NATO dhe veçanërisht në Bashkimin Evropian, ashtu siç po veprojnë vendet fqinje.

Zëri i Amerikës: Duke pasur parasysh zhvillimet më të fundit në Kosovë, ç’mendoni ju si do ta trajtojë tani komuniteti ndërkombëtar çështjen e Kosovës dhe cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat përballet sot Kosova ndërsa afrohet afati për shqyrtimin e përparimit të bërë drejt përmbushjes së standareteve që komuniteti ndërkombëtar?

James Dobbins: Kosova përballet me shumë sfida, por sfida më e rëndësishme dhe kryesorja për përmbushjen e dëshirës së popullatës për pavarësi janë bisedimet për t’u siguruar pakicave në Kosovë mbrojtje dhe një shkallë autonomie. Gjithashtu mendoj se është e rëndësishme për komunitetin ndërkombëtar, veçanërisht për Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, që ta bëjnë të qartë objektivin e tyre. Në këtë fazë, nuk është e dobishme që popullata e Kosovës të lihet në pasiguri për sa i përket objektivit përfundimtar të këtij procesi. Mendoj se objektivi final duhet të jetë pavarësia e Kosovës brënda kufijve të tanishëm si dhe marrja e masave për të siguruar mbrojtjen dhe një farë autonomie për grupet e pakicave dhe në veçanti për pakicën sërbe.

Zëri i Amerikës: Zoti Dobbins, kryeministri Haradinaj u dorëzua vullnetarisht në Hagë. A do të ndihmojë ky fakt drejt përshpejtimit të fitores së pavarësisë për Kosovën apo do ta shqyjë atë meqë kundër kryeministrit u ngrit akt-padija për krime lufte, ndërsa standartet e kërkuara mbeten ende të paqarta.

James Dobbins: Mendoj se mënyra se si zoti Haradinaj reagoi ndaj akt-padisë së ngritur kundër tij ndihmoi në këtë drejtim. Ai tregoi përgjegjësi dhe pjekuri që u dorëzua në Hagë. Edhe thirrja e tij për qetësi ndihmon. Megjithëse në detyrën e kryeministrit ai erdhi si një figurë, që ngjalli shumë debate, ai tregoi një shkallë energjie dhe përgjegjësie në drejtimin e zyrës së tij. Në këtë drejtim mund të jetë e vështirë të gjehet një pasardhës po aq i aftë sa zoti Haradinaj që të përfaqësojë Kosovën dhe ta çojë procesin përpara. Le të shpresojnë që udhëheqësit politikë të Kosovës do të jenë në gjendje të bien dakord lidhur me një pasardhës energjik dhe të mënçur për të qënë në krye të këtij procesi në emër të popullit të Kosovës. cutaways are at the end of the interview

XS
SM
MD
LG