Lidhje

Roli i medias në shkallëzimin e dhunës gjatë trazirave të marsit 2004 në Kosovë


Sot mbushet një vit nga trazirat me dhunë në Kosovë, të cilat shkaktuan vdekjen e një numër serbësh dhe shqiptarësh, ndërsa qindra banesa të serbëve në Kosovë u shkatërruan dhe disa kisha dhe manastire shekullore u dëmtuan. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Barry Wood ishte në Prishtinë ku bisedoi me zyrtarë dhe banorë lidhur me ndikimin që njoftime të papërgjegjshme të medias mund të kenë ndikuar në shkallëzimin e dhunës.

Trazirat filluan pas mbytjes së tre fëmijëve shqiptarë në Lumin Ibër, i cili ndan pjesët e Mitrovicës të banuara nga serbët nga lagjet e banuara me popullsi shqiptare. Një djalë 13-vjeçar i shpëtoi mbytjes dhe i tregoi medias se ai dhe shokët po ecnin pranë një shtëpie ku kishin parë dy serbë me një qen. Djemtë ishin hedhur në lumë për t’i shpëtuar qenit dhe tre prej tyre ishin mbytur.

Bob Gillete, ekspert amerikan për çështjet e shtypit, drejton njësinë e Kombeve të Bashkuara që mbikqyr median në Kosovë. Zoti Gillete thotë se televizioni publik në Kosovë e bëri shumë bujë këtë tragjedi:

“Televizioni publik kur e njoftoi këtë zhvillim tha se është e qartë se serbët i kishin sulmuar fëmijët dhe kishin shkaktuar mbytjen e tyre. Ata e shndërruan këtë ngjarje të mjegullt, në të cilët fëmija nuk tha asnjëherë se ishin sulmuar, në një hamendje që në njoftimin e medias ku kthye në fakt. Gjatë gjithë mbrëmjes ata vazhduan të raportojnë lidhur me këtë zhvillim, ndalën të gjithë programet normale dhe filluan të transmetojnë muzikë simfonike për të theksuar karakterin tragjik të ngjarjes,” thotë zoti Gillette.

Me shkallëzimin e zemërimit të popullsisë shqiptare njoftimet e medias vazhduan të jenë jo-objektive:

“Më pas ata sollën babain e njërit prej djemve të mbytur, rë cilit sapo i ishte gjetur trupi. Babai tha në televizion se çetnikët serbë i kishin vrarë djalin në një mënyrë të tmerrshme. Këtu ishte kapërcyer raportimi i fakteve dhe gazetaria kishte rënë në një nivel edhe më të ulët,” thotë zoti Gillette.

Disa orë më pas në Mitrovicë dhe Prishtinë filluan protestat anti-serbe, të cilat shumë shpejt morën karakter të dhunshëm.

“Dy - tre ditë më pas, 19 veta ishin vrarë. Katër mijë persona, shumica serbë, ishin dëbuar nga banesat e tyre. Rreth 30 kisha me vlera historike, pjesa më e madhe e tyre kisha serbe, ishin djegur,” thotë zoti Gillette.

Në prill, një muaj pas shpërthimit të trazirave, Organizata për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë fajësoi për dhunën njoftimet e papërgjegjshme dhe sensacionale. Një raport gjyqësor që u nxor më pas nga administrata e Kombeve të Bashkuara nuk gjeti prova se serbët kishin lidhje me tragjedinë në Lumin Ibër.

Belul Zeka, student në Prishtinë, është ndër ata shqiptarë të paktë që pohon haptazi se trazirat mund të mos kenë pasur asnjë lidhje me provokacionet serbe:

“Faktikisht këto skena ishin të turpshme për këdo në Kosovë. Sulmet ndaj civilëve dhe djegia e banesave nuk janë të pranueshme. Njerëzit kishin dalë në rrugë dhe gjendja ishte shumë shqetësuese,” thotë zoti Zeka.

Ngjarjet e një viti më parë tronditën administratën e Kombeve të Bashkuara dhe opinionin ndërkombëtar. Shqiptarët e Kosovës, të cilët vetëm pak vjet më parë kishin qenë viktima të shtypjes serbe, tani po shiheshin me sy tjetër. Megjithëse tashmë gjakrat janë ftohur, data 17 mars shënon një përvjetor që asnjë nuk e kujton me krenari.

XS
SM
MD
LG