Lidhje

Shqipëri: ruajta e mirëkuptimit mes komuniteteve fetare


Nëse ka një gjë me të cilën Shqipëria sot krenohet është pikërisht bashkëjetesa mes komuniteteve të ndryshme fetare. Janë të shumtë ata që e konsiderojnë këtë si një pasuri pasi mund të jetë një rast unik, që në të gjithë historinë e vendit, nuk janë shënuar asnjëherë përplasje fetare. Megjithatë shembujt e freskët në botë, por edhe në rajonin e Ballkanit kanë dëshmuar se ekuilibrat fetare janë shumë të brishtë dhe shpesh herë manipulimet me to kanë sjellë pasoja të rënda.

Këtë e kanë pranuar sot edhe katër drejtuesit e komuniteteve më të mëdha-ai musliman, ortodoks, katolik dhe ai bektashi kur shprehen se një ndër arsyet e deklaratës së tyre të sotme është edhe fakti se “mosmarrëveshjet fetare janë të lidhura me konflikte etnike, sociale dhe politike”.

Deklarata e sotme kishte si synim që të nxisë më tej bashkëjetesën. “Traditat tona fetare dhe shpirtërore kanë shumë vlera të përbashkëta dhe pikërisht këto vlera - thuhet në deklaratë - mund të shërbejnë si baza e vërtetë e respektit të ndërsjelltë, bashkëpunimit dhe bashkëjetesës. Diskriminimi dhe dhuna ndaj çdonjërit ose shkelja e të drejtave themelore nuk është vetëm kundër ligjeve që ka bërë njeriu por edhe thyerje e ligjit të zotit”.

Drejtuesit e katër komuniteteve fetare u angazhuan se do të vazhdojnë t'i “përkushtohen lutjeve për të ushqyer tolerancën, bashkejetesën dhe paqen si në komunitetet e tyre ashtu dhe në mbarë shoqërinë duke u theksuar klerikëve të tyre se predikimi në asnjë rast nuk duhet të nxisë urrejtje fetare”.

Muslimanët, ortodoksët, katolikët dhe bektashinjtë u kanë kërkuar autoriteteve shtetërore që të mbrojnë lirinë e të gjithë përfaqësuesve të autorizuar apo udhëheqësve fetarë që të përmbushin misionin e tyre. Ato kanë kërkuar hartimn e rezolutës mbi statusin ligjor të komuniteteve fetare si dhe kthimin e pronave të shtetëzuara apo konfiskuara në të kaluarën.

Në Shqipëri liria e fesë u rikthye pas rënies së regjimit komunist. Hapja solli me vete dhe dyndjen e shumë rrymave të reja që shpesh kanë sjellë përplasje brenda vetë komuniteteve tradicionale. Aktualisht ne vend janë regjistruar dhe ushtrojnë veprimtarinë e tyre 180 organizata fetare.

XS
SM
MD
LG