Lidhje

Kosovë: Ekonomia po tregon shenja të qarta rritjeje


Në Kosovë ka shenja se ekziston një ekonomi e orientuar nga shërbimet për konsumatorin, e cila është në gjendje të shënojë rritje pa nevojën e ndihmave financiare nga jashtë. Analistë të huaj shprehen me optimizëm lidhur me të ardhmen ekonomike të këtij rajoni.

Ekonomia e Kosovës po përjeton një periudhë të vështirë tranzicioni. Modeli i vjetër jugosllav i sektorit shtetëror ka marrë fund. Në Kosovë po lulëzojnë bizneset e vogla. Përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Prishtinë, Mark Auboin është optimist. Ai mendon se megjithë rënien në masën 50 për qind të ndihmave të huaja gjatë viteve të fundit, ekonomia e re e Kosovës po arrin rritje në masën 4-5 për qind në vit. Kjo, thotë ai, është një rritje e mjaftueshme për të përballuar shtimin e përvitshëm të forcës punëtore me 35 mijë veta.

Disa analistë thonë se papunësia arrin në rreth 65 për qind, por zoti Auboin thekson se realiteti është diku rreth 35 për qindshit. Është e vërtetë që pjesa më e madhe e të punësuarve punojnë jashtë sektorit zyrtar ekonomik dhe pjesa më e madhe e tyre nuk kanë punësim me orar të plotë. Qeveria nuk u jep kompensim personave pa punë. Katër vjet më parë Kosova përjetoi një farë zhvillimi ekonomik kur vërshuan fonde të shumta për rindërtim pas konfliktit të vitit 1999. Ritmet e rritjes ekonomike arritën në 11 për qind, por këto ritme ranë pas pakësimit të ndihmave ndërkombëtare. Zoti Auboin, këshilltar i qeverisë së Kosovës, thotë se tani sektori i biznesit të vogël po rritet me ritme të shpejta:

“Ky sektor shihet ngado. Kjo është një ekonomi që bazohet në sektorin e shërbimeve dhe ky sektor po rritet me ritme të tilla që janë në gjendje të përballojnë edhe tërheqjen e mbështetjes së donatorëve,” thotë zoti Auboin.

Analistët thonë se statusi i pazgjidhur i Kosovës është bërë pengesë për investimet e huaja. Por shqiptarët që jetojnë jashtë vendit po sjellin në Kosovë para’ nga të ardhurat e tyre. Ish-zyrtari francez Michel Svetchine drejton autoritetin bankar në Kosovë, që shërben si banka qendrore e Kosovës. Ai thotë se sektori bankar në Kosovë ka filluar të funksionojë dhe kreditë për bizneset shënuan një rritje prej 60 për qind vitin e kaluar:

“Kjo tregon së pari se sektori privat po merr iniciativë, dhe së dyti se sektori financiar po u përgjigjet kërkesave,” thotë zoti Svetchine.

Megjithë përparimet e shënuara, ka ende shumë probleme. Privatizimi i industrive shtetësore ende nuk ka përfunduar. Ka mosmarrëveshje të shumta lidhur me pronësinë e tokës dhe të ndërmarrjeve. Ende nuk janë rivendosur shkëmbimet e mëparshme tregëtare. Trenat nuk lëvizin dhe furnizimi me energji nuk është stabilizuar. Por analistët theksojnë se vërehen shenja të qarta përparimi, në veçanti në pritje të diskutimeve të mundshme për statusin përfundimtar të Kosovës gjatë 12 muajve të ardhshëm.

XS
SM
MD
LG