Lidhje

Bush: Ndërhyrja e koalicionit në Irak ka forcuar sigurimin e Amerikës dhe lirinë në botë


Presidenti Bush përkujtoi përvjetorin e dytë të ndërhyrjes ushtarake amerikane në Irak duke u thënë amerikanëve se rrëzimi i Sadam Huseinit i ka shërbyer çështjes së sigurisë. Ndërkaq, demokratët e shfrytëzuan këtë përvjetor për të akuzuar administratën e Presidentit se po pakëson përfitimet për veteranët:

Si rrjedhojë e ndërhyrjes së forcave të koalicionit kundër Sadam Huseinit dy vjet më parë, tha presidenti Bush, Iraku nuk përbën më kërcënim ndaj botës dhe vetë popullit irakian.

“Ne e njihnim të kaluarën e Sadam Huseinit si agresor dhe mbështetës i terrorizmit. Ne i njihnim përpjekjet e tij disa vjeçare për të siguruar armë të shkatërrimit në masë, ne e dinim se 11 shtatori kërkon nga vendi ynë të ketë një vizion të ri. Ne duhet të përballemi dhe ne do të përballemi me kërcënimet që ndeshet Amerika para se ato të bëhen realitet,” tha presidenti.

Zoti Bush e shfrytëzoi fjalimin e tij të përjavshëm në radio për të përkujtuar dy vjetorin e ndërhyrjes ushtarake në Irak, duke thënë se triumfi i lirisë në Irak po forcon një aleat të ri në luftën kundër terrorizmit dhe po frymëzon forcat reformatore nga Beiruti në Teheran.

“Sot gratë në Afganistan kanë të drejtën e votës, palestinezët po braktisin praktikat e vjetra të dhunës dhe qindra mijëra libanezë po ngrihen për të kërkuar sovranitetin dhe të drejtat e tyre demokratike. Këto janë ngjarje të rëndësishme në historinë e lirisë. Vetëm zjarri i lirisë mund t’i kundërvihet ideologjisë së vrasjes duke u dhënë shpresë atyre që dëshirojnë lirinë,” tha presidenti.

Më shumë se 1 mijë e 500 ushtarë amerikanë kanë humbur jetën që nga fillimi i luftës në Irak. Presidenti iu drejtua familjeve të të rënëve, duke i siguruar se sakrifica e të afërmve të tyre i ka shërbyer sigurisë së Amerikës dhe lirisë në botë. Në fjalimin e përjavshëm në radio në emër të Partisë Demokrate, guvernatori i Pensilvanisë Ed Rendell foli edhe për trupat amerikane, duke kritikuar administratën e presidentit për pakësimin e përfitimeve për veteranët. Ndër ato masa që ai i cilësoi si shkurtime të papërgjegjshme në buxhetin e presidentit përfshihen një pakësim në shumën 300 milion dollarë, i ndihmave për personat që jetojnë në banesa shtetërore për veteranët.

“Dy vjet më parë qeveria federale i trefishoi pagesat e veteranëve për ilaçet me recetë. Tani presidenti përsëri po propozon dyfishimin e këtyre pagesave. Por në mes të luftës, kur shumë amerikanë të tjerë i bashkohen legjionit të veteranëve, a është me vend që presidenti të rrisë konston e ilaçeve me recetë në masën 100 për qind?” tha zoti Rendell.

Kur vendi është në luftë, tha Guvernatori Rendell, është gabim që qeveria federale të kufizojë përfitimet për veteranët amerikanë. Shkurtimet e propozuara përgjithësisht përqëndrohen tek veteranët me të ardhura më të larta dhe ata që kanë pësuar dëmtime fizike, por jo gjatë periudhës së shërbimit ushtarak. Propozimi i presidentit kërkon një shtim prej afro 3 për qind të buxhetit për veteranët, duke arritur në mbi 70 miliardë dollarë.

XS
SM
MD
LG