Lidhje

Liban: Presidenti bën thirrje për dialog kombëtar


Presidenti i Libanit u ka bërë thirrje fraksioneve pro dhe kundër Sirisë brenda qeverisë të fillojnë menjëherë bisedimet, pas shpërthimit në periferi të Beirutit, që e ka acaruar më tej krizën politike në vend.

Anëtarët e opozitës nuk iu përgjigjën menjëherë ftesës së presidentit Emil Lahoud, e cila pasoi një shpërthim që tronditi sot një lagje pranë Beirutit, të banuar me popullsi kryesisht të krishterë.

Shpërthimi, i cili me sa duket u shkaktua nga lënda plasëse e fshehur nën një makinë, plagosi disa vetë, shkaktoi dëme të shumta materiale dhe panik në radhët e banorëve.

Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, dhe nuk ishte e qartë nëse ai kishte motive politike, apo sektare.

Libani është përfshirë nga trazirat politike që nga vrasja e ish kryeministrit Rafik Hariri më 14 shkurt, për të cilën shumë libanezë fajësuan Sirinë. Vrasja e tij u bë shkak për protesta masive anti-siriane, solli rrëzimin e qeverisë libaneze si dhe fillimin e tërheqjes së trupave siriane nga Libani.

XS
SM
MD
LG