Lidhje

Kryetari i PD-së Berisha deklaron fitore në zgjedhjet e ardhshme


Në Shqipëri kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi të djelën se zgjedhjet e ardhshme do të rikthejnë fitoren e arritur 13 vjet më parë në mars të vitit 1992, kur për herë të parë një forcë politike opozitare vinte në pushtet pas sundimit gati 50-vjeçar të komunizimit. Deklarata e zotit Berisha u bë gjatë një manifestimi të organizuar të djelën në Tiranë pas një turi disa mujor që Partia Demokratike zhvilloi në qytetet kryesore të vendit. Mijëra përkrahës së Partisë Demokratike u mblodhën të djelën në sheshin kryesor të kryeqytetit, jo vetëm për të kujtuar marsin e 1992 që e ngjiti Partinë Demokratike për herë të parë në pushtet, por edhe për t’i paraprirë fushatës së afërt elektorale për zgjedhjet e këtij viti.

Demokratët të cilët prej kohësh kanë nisur përgatitjet e tyre, kishin mbledhur rreth figurave të njohura të partisë, përfaqësuesit e rinj të ftuar prej saj për të dhënë kontribut në hartimin e platformës së ardhshme qeverisëse, por edhe disa nga themeluesit e kësaj force politike që, pas vitesh të tëra ndarjeje të thellë, i janë bashkangjitur sërish.

Kryetari i partisë, Sali Berisha, tha se 75 për qind e shqiptarëve kërkojnë ndryshimin dhe ky fakt është sipas tij garanci e fitores së ardhshme: "Partia demokratike është e vendosur t’i prijë këtij ndryshimi. PD i është drejtuar vlerave më të çmuara të shoqërisë shqiptare, i është drejtuar botës akademike, shoqërisë civile, biznesmenëve, mediave, themeluesve të saj. Ne në zgjedhjet e ardhshme do të rikthejmë fitoren e merituar, fitoren plebishitare, fitoren e vitit 1992".

Fjala e zotit Berisha ishte një kujtesë e asaj që Partia Demokratike realizoi në fillim të viteve ’90 duke udhëhequr përmbysjen e regjimit totalitar, por dhe një thirrje për të rrëzuar socialistët të cilët e kanë kthyer Shqipërinë, siç tha zoti Berisha, në një strehë vorfnore, në një vend të korrupsionit dhe trafiqeve: "Le t’i bëjmë ne, në zgjedhjet e ardhshme gjyqin publik, armikut të dytë të madh të shqiptarëve, varfërisë, mjerimit dhe shkaktarëve të saj. Jam i bindur e me shpresë se duke marrë pjesë në votime do të japim mesazhin se jemi të vendosur t’u rikthejmë shqiptarëve besimin e madh te familja, te e ardhmja, te Shqipëria".

Ndonëse data e zgjedhjeve nuk është caktuar ende zyrtarisht, vendi është plotësisht në një atmosferë elektorale. Ajo që po dallon është fakti se, të paktën, Partia Demokratike - pretendentja kryesore për të marrë pushtetin - po përgatitet për një betejë, jo thjesht politike, por për një garë ku ajo do të konkurrojë me platforma të përpunuara ekonomike.

Nga ana e tyre, edhe socialistët deklarojnë se do të rikonfirmohen sërish në pushtet. Ata janë përfshirë në një proces përzgjedhjesh të kandidaturave, ku, të paktën në Tiranë, më shumë se gjysma pritet të jenë figura që s’kanë kandiduar më parë, por që zenë poste kyçe në administratën e sotme. //az//

XS
SM
MD
LG