Lidhje

Maqedoni: BDI bën thirrje që partitë të mos e tensionojnë situatën


Në Maqedoni, partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim bëri thirrje të djelën që partitë të mos e tensionojnë situatën në prag të raundit të dytë të zgjedhjeve vendore që është caktuar për 27 mars. Nga ana tjetër, koalicioni i partive opozitare shqiptare njohtoi po të djelën se do të bojkotojë raundin e dytë zgjedhor, nëse faktori i brendshëm dhe ai ndërkombëtar nuk jep garanci për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

Bashkimi Demokraik për Integrim mohoi akuzat e partive opozitare për, siç thuhet, përfshirjen e saj në parregullsitë e shkaktuara gjatë raundit të parë të zgjedhjeve vendore. Sekretari i përgjithshëm, Gëzim Ostreni, tha se BDI angazhohet të ruajë standartet për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, që, sipas tij, janë në përputhje me standartet evroatlantike. “Kërkojmë nga faktorët politikë të mos i keqpërdorin vlerat e arritura deri tani për interesa të ngushta parazgjedhore. Shpresojmë se në ditët e ardhshme të gjithë do të veprojmë me më shumë respekt ndaj qytetarëve dhe do të promovojmë konstruktivitet dhe qetësi”.

Ndërkohë, koalicioni i partive opozitare shqiptare (mes Partisë Demokratike Shqiptare dhe Partisë për Prosperitetit Demokratik) akoma nuk ka ndryshuar qëndrimin për bojkotimin e raundit të dytë të zgjedhjeve, që do të zhvillohet më 27 mars.

Përfaqësuesit e këtyre partive kërkojnë rivotime në të gjitha zonat zgjedhore në komunat e banuara me shqiptarë, ndërrimin e anëtarëve të komisioneve vendore zgjedhore dhe garanci të tjera për shmangien e dhunës dhe parregullsive gjatë raundit të dytë të zgjedhjeve.

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Arbër Xhaferi, tha se të gjithë faktorët politikë duhet të tregojnë seriozitet të lartë për proceset integruese që janë të lidhura me të ardhmen e këtij vendi. “Jemi në prag të inkuadrimit të Maqedonisë në sturkturat veriatlantike, mirëpo askush nuk e vlerëson seriozisht këtë ofertë të BE-së dhe NATO-s. Këto askush nuk mendon se janë të obliguar t’i respektojnë standartet ndërkombëtare”.

Nga ana tjetër, kryeministri maqedonas, Vllado Buçkovski, ka ftuar për nesër udhëheqësitë e partive politike për të arritur marrëveshje për qetësi dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira e demokratike. Edhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtarë bënë thirrje që raundi i dytë i zgjedhjeve të zhvillohet pa parregullsi dhe të respektohet vota e lirë e qytetarëve.

Raundi i dytë i zgjedhjeve do të zhvillohet në 60 komuna, ndërkaq në raundin e parë janë zgjedhur vetëm 14 prefektë të komunave. Zgjedhjet vendore zhvillohen në 80 komuna sipas një plani të ri decentralizimi, i cili i jep komunitetit shqiptar më shumë të kompetenca në shumicën e komunave në veriperendim të vendit. //az//

XS
SM
MD
LG