Lidhje

Kosumi: qeveria nuk duhet të paragjykohet


Kryeministri i ri i Kosovës Bajram Kosumi shpalli sot një program ambicioz gjatë fjalimit të tij në parlament. Qeveria e Kosovës ndeshet sot me një prej sfidave të saj më të rëndësishme ndërsa po afrohet koha për diskutimin e aspiratave të popullsisë shqiptare për të patur një shtet të pavarur.

Zëri Amerikës: Zoti Kosumi, ndër përparësitë e punës së qeverisë tuaj ju përmendet sot plotësimin e standarteve, përmirësimin e gjendjes ekonomike dhe sigurimin e pavarësisë se Kosovës. Këto kanë qene pak a shuma detyrat kryesore edhe të qeverive të mëparshme. Çfare të reje do të sillni ju në qeveri?

Bajram Kosumi: Është fat i mirë që të gjitha partitë politike dhe qeveritë e deritanishme kanë patur përafërsisht një fokusim të tillë. Përparësia e njërës apo tjetrës është e ndryshme. Unë do ti referohem programit të qeverisë së hartuar para tre muajsh, të miratuar nga parlamenti i Kosovës. Kjo do të thotë se këtu përfshihen standartet, të cilat një pjesë e madhe e tyre janë realizuar, por deri në qershor ne duhet të krijojmë një shkallë të mirë të lirisë dhe demokracive njerëzore në Kosovë në mënyrë që të hapim rrugën që Këshilli i Sigurimit të bëjë një vlerësim pozitiv për këto standarte. Unë dua të them se kur flitet për standartet kjo nuk është thjesht një formulë, por në të vërtetë vlerësohet shkalla e zhvillimit të demokracisë dhe lirive njerëzore në Kosovë. Për sa u përket standarteve ne do të vazhdojmë të punojmë edhe pas qershorit por në qershor kemi një kufi ku do të vlerësohet kjo shkallë e zhvillimit të demokracisë e cila pastaj do të hapë rrugën për statusin final. Neni dy është çështja ekonomike dhe këtë e theksoj edhe tani; nuk mund të ketë një demokraci të zhvilluar pa një ekonomi të zhvilluar; nuk mund të ketë një shtet stabël pa një ekonomi të zhvilluar. Fundja ne po angazhohemi të bëjmë një shtet të përparur, një shtet me demokraci të lartë dhe një shtet të zhvilluar ekonomikisht dhe ky do të ishte faktori i stabilitetit në rajon. Dhe qëllimi im i tretë dhe i fundit është një rezume e dy qëllimeve të parave. Është negocimi i pavarësisë së Kosovës. E theksoj, negocimi i pavarësisë së Kosovës, sepse kjo është zgjidhja në të cilën duhet të angazhohen të gjitha forcat brenda kosovës dhe ato ndërkombëtare.

Zëri Amerikës: Zoti Kosumi, vëzhgues të ndryshëm thonë se ish kryeminsitri Haradinaj pati sukses për kohen që drejtoi në një mase të madhe fale autoritetit dhe mbështetjes që gëzonte, e lidhur kjo edhe me rolin e tij si një prej komandateve kryesorë të UÇK-së. A mendoni se ju do të arrini të bashkoni forcat politike dhe shoqerinë për të mbeshtetur programet tuaja?

Bajram Kosumi: Unë kam mbi 26 vjet që merrem me zhvillimet politike në Kosovë. Kam investuar tërë mundin, tërë punën time në çlirimin e Kosovës, në krijimin e lirisë në Kosovë. Kam një bazë të mirë mbi të cilën mund të punoj dhe të udhëheq me proceset. Por autoriteti krijohet me punë dhe jo në mënyra të tjera dhe vetëm autoriteti i krijuar përmes punës është i suksesshëm.

Zëri Amerikës: Zakonisht qeverite e reja, kanë një periudhe dy - tre mujore që quhet muaj mjalti në politikë, pra kur nuk ndeshen me kritikat e opozitës. Duket se ju nuk do ta keni këtë fat. Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, e kritikoi që sot ashpër qeverinë dhe tha se ju duhet ta pastroni atë nga elementi kriminal dhe korrupsioni. Cila është pergjigja juaj?

Bajram Kosumi: Po, sot kishte diskutime të shumë deputetëve, kishte një gjykim aprior të qeverisë gjë që mendoj se ishte gabim. Duhet të shikohet puna e qeverisë që pastaj të gjykohet për mirë apo për keq. Nuk duhet të paragjykohen gjërat. Qeveria ime sot ka fituar dhe nuk është në bankën e të akuzuarve dhe une do të pres që kjo qeveri të punojë dhe të jetë e sukseshme. Sa për elementet që janë përmendur sot, nuk janë deputetët por është gjykata që duhet ta thotë fjalën e saj. Atëherë nëse kemi raste të tilla, dihen procedurat. Por tani për tani qeveria është fituese, ministat në qeverinë e sotme janë ministra të Kosovës, janë njerëz të zotë, njerëz të punës njerëz të ndershëm që do të ja dalin me sukses në detyrat e reja që kanë marrë.

Zëri Amerikës: Zoti Kosumi, së shpejti Kosova duhet të përgatitet për të formuar delegacionin e saj për bisedimet e statusit. Cili është mendimi juaj për përbërjen e tij?

Bajram Kosumi: Mendoj se është ende herët të mendohet për delegacionin. Delegacioni do të burojë nga instuticionet demokratike të Kosovës, nga Kuvendi, nga qeveria etj. Ajo që do të bëjmë ne dhe që kam thënë edhe sot është gjetja e një formule që në këtë proces të marrë pjesë dhe të ketë një pozitë të merituar edhe opozita për faktin se pavarësia e Kosovës nuk lidhet vetëm me zgjedhjet por është një proces historik, prandaj ne duam që edhe opozita të ketë aty vendin e merituar. Por me kohën do të gjinden edhe formulat konkrete për të realizuar këtë ide timen.

Zëri Amerikës: Në komentet e para nga opozita është lënë të kuptohet se ata mundë të dëshirojnë të kryesojnë delegacionin. A do të ishit ju i hapur për një propozim të tillë nga opozita. ?

Bajram Kosumi: Nuk dëshroj që të bëj komente në këtë fazë. Unë mendoj se për këtë fazë është e mjaftueshme ideja që çështja e pavarësisë të ketë një koncesus dhe partneritet të të gjitha forcave politike në Kosovë.

XS
SM
MD
LG