Lidhje

Konferenca mbi vendet e dala nga konfliktet


Konfliktet e shekullit të 21-të, ndryshe nga krizat e mëparshme ndërkombëtare, nuk vijnë më nga luftrat koloniale të superfuqive, por nga krizat politike, ekonomike dhe sociale që përjetojnë shtete të dështuara, të cilat bëhen skena tragjedish humanitare dhe strehë e terroristëve ndërkombëtarë. Për këtë arsye angazhimi ndërkombëtar në zonat e dala nga konflikti merr një rëndësi vendimtare për sigurinë dhe paqen në botë. Në një konferencë të organizuar dje nga Instituti amerikan i Paqes, zyrtarë amerikanë dhe ndërkombëtarë vunë në dukje mësimet e nxjerra nga misionet e ekzistuese paqeruajtëse, ndër të cilët edhe misionin e UNMIK-ut në Kosovë.

Konferenca mund të ndahet në dy tema të mëdha, në rrezikun që paraqesin në botën e sotme, shtete të vogla dhe të pafuqishme, si në rastin e Afganistanit, që mund të bëhen strehë e grupeve terroriste dhe së dyti, çfarë mësimi mund të nxirret nga misione paqeruajtëse si ai në Kosovë e Bosnje.

Zëvendës-administratori i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Larry Rossin, tha se misioni i OKB-së ka kaluar nga faza e kapërcimit të krizës, në fazën e ndërtimit dhe forcimit të institucioneve dhe se UNMIK-u po vazhdon tani procesin për kalimin e kompetencave në duart e autoriteteve të Kosovës. UNMIKU, tha zoti Rossin, ka dy mesazhe për popullin dhe udhëheqjen e Kosovës, të cilat duhet t’i theksojë mbarë komuniteti ndërkombëtar: " Së pari e vetmja rrugë drejt statusit përfundimtar është përmes zbatimit të standarteve. Dhe së dyti, çdo akt dhune do të ishte një hap i dëmshëm prapa ndaj procesit për zgjidhjen e statusit. Për mua është e qartë që populli i Kosovës po u kushton vëmendje këtyre mesazheve, gjë që vërtetohet nga ngjarjet e javëve të fundit pas dorëheqjes së zotit Haradinaj, të cilat u pasuan nga një gjendje e përgjithshme e qetë."

Viti 2005 është vit vendimtar për Kosovën. Zgjidhja e statusit përfundimtar, që është çështja më urgjente politike e hapur në Ballkan është tani në rendin e ditës së komunitetit ndërkombëtar.

"Përveç reformave të tjera të nevojshme në Kosovë, përparimet në ekonomi kushtëzohen nga zgjidhja e çështjes së statusit. Zgjidhja e statusit do të krijojë një atmosferë më të sigurtë për investuesit si dhe t’u hapë rrugën kredive të nevojshme për zhvillim. Problemet sociale dhe ekonomike dhe mungesa e perspektivave ushqejnë paqëndrueshmëri dhe nervozizëm si dhe trazira politike siç ndodhi një vit më parë", tha zoti Rossin.

Zoti Rosin vlerësoi rolin e qeverisë së mëparshme të Kosovës në zbatimin e standarteve. Por ende mbetet shumë për të bërë në drejtim të të drejtave të pakicave, tha ai. Ka ardhur koha, tha zoti Rosin, që pakicat serbe në Kosovë të angazhohen në institucionet e Kosovës dhe në këtë drejtim ai i bëri thirje Beogradit të veprojë pozitivisht për të ndihmuar proceset demokratike në Kosovë. "Ka ardhur koha që Beogradi të gjykojë realitetin me gjakftohtësi. Komuniteti ndërkombëtar e ka bërë të qartë se nuk do të ketë kthim prapa në gjendjen para marsit 1999 dhe se procesi do të vazhdojë edhe nëse Beogradi nuk angazhohet në të".

Megjithë përparimet e arritura deri tani, tha zëvendës-administratori ndërkombëtar në Kosovë, Kosova është ende e brishtë. Nëse Kosova nuk vazhdon përparimin drejt zgjidhjes së statusit, qëndrueshmëria mund të trazohet. Komuniteti ndërkombëtar ka një përgjegjësi të madhe përpara për të drejtuar këtë proces. Këtu zoti Rosin theksoi se angazhimi i Bashkimit Evropian do të jetë vendimtar. E ardhmja e rajonit është në Evropë. Roli i Bashkimit Evropian do të jetë vendimtar. Por angazhimi i Shteteve të Bashkuara është ende i pazëvendësueshëm, deri në zgjidhjen e statusit përfundimtar. Kosova është një shembull i qartë i bashkëpunimit dhe dialogut të hapur që duhet të vazhdojë ndërmjet Bashkimit dhe Shteteve të Bashkuara lidhur me angazhimin e tyre në arenën ndërkombëtare. Përfaqësuesi i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm në Kosovë dhe mbarë UNMIK-u, tha zoti Rosin, janë të vendosur në dy pika: "Së pari, nuk ka kthim prapa në gjendjen para vitit 1999. Dhe së dyti, zgjidhja e statusit nuk do të përfshijë në asnjë rrethanë, ndarjen e Kosovës".

Gjenerali Klark, i cili ka një përvojë të gjerë në drejtimin e operacioneve ushtarake dhe trupave paqeruajtëse në rajone të dala nga konflikti, përshëndeti qëndrimin e shqiptarëve të Kosovës pas dorëheqjes së zotit Haradinaj si një akt që do të bindë ata që e shohin me dyshim përparimin e demokracisë në Kosovë: "Mendoj se skeptikët në komunitetin ndërkombëtar mund të jenë impresionuar nga ky qëndrim. Vetë shqiptarët e Kosovës, të cilët pa dyshim u dëshpëruan nga akt-padija ndaj zotit Haradinaj. Skeptikët mendoj mbetën të impresionuar nga udhëheqja e tij, dhe fakti që ai u dorëzua vullnetarisht në Hagë dhe qëndrimi i shqiptarëve, të cilët treguan se i kuptojnë proceset e drejtësisë. Unë e shoh këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm përpara", tha gjenerali Clark.

XS
SM
MD
LG