Lidhje

Ministri Moliviatis shpreh pikëpamjen e qeverisë greke për Kosovën


Ministri i jashtëm grek, Petros Molyviatis vizitoi sot selinë e Kombeve të Bashkuara ku diskutoi me diplomatët rreth çështjes së emrit të Maqedonisë. Greqia është kundër përdorimit të emrit të ish republikës jugosllave të Maqedonisë, duke thënë se kjo shkel integritetin territorial të Greqisë.

Por nuk është vetëm emri i Maqedonisë tema për të cilën po diskuton ministri i jashtëm grek gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara. Greqia ka shprehur kohët e fundit një farë interesimi për zhvillimet në Kosovë.

Tema e Kosovës u prek dje në takimin që ministri i jashtëm grek pati në Uashington me Sekretaren e Shtetit Kondolisa Rajs. Pas takimit, në komentet për gazetarët, Sekretarja Rajs theksoi nevojën e ecjes përpara për sa i përket të ardhmes së Kosovës dhe shfaqi shpresë për arritjen e përparimit drejt integrimit të gjithë rajonit të Ballkanit në strukturat evropiane.

Zonja Rice tha se Kosova është një rajon i pjekur për bashkëpunimin midis Greqisë dhe Shteteve të Bashkuara si dhe me anëtarët e tjerë të Natos.

Ministri Moliviatis e shpreh pikëpamjen e qeverisë së tij për Kosovën në një artikull që ka botuar sot në gazetën Washington Times. Ai thotë se është në interes të të gjithëve të vazhdohet të kërkohet zbatimi i standardeve.

Sipas zotit Moliviatis, është i arësyeshëm preokupimi për statusin e ardhshëm të Kosovës, por thotë ai, nuk duhet të reklamojmë para kohe zgjidhje specifike, pra para se të bëhet vlerësimi i standardeve këtë verë.

Ministri i jashtëm grek thotë se plani për statusin përfundimtar duhet të jetë i zbatueshëm dhe realist, ai duhet të inkurajojë stabilizimin e rajonit dhe duhet të dekurajojë destabilizimin. Kthimi tek statukuoja e para vitit 1999 nuk është më një zgjidhje realiste, thotë ministri i jashtëm grek.

Kosova, thekson ai, duhet të mbetet shumetnike. Ndarja e Kosovës apo bashkimi i saj me ndonjë vend tjetër do të ishte burim i një destabilizimi të rrezikshëm, shkruan ministri i jashtëm grek Petros Moliviatis në numrin e sotëm të gazetës Uashington Times.

XS
SM
MD
LG