Lidhje

Shërbimet amerikane të zbulimit ishin gabim në vlerësimet për armët irakiane


Një komision i ngritur nga Presidenti Bush thotë se agjencitë amerikane të zbulimit kanë qenë krejtësisht gabim në shumicën e vlerësimeve të tyre para lufte lidhur me armë irakiane të shkatërrimit në masë. Komisioni e bëri raportin publik dje, gati një vit pas krijimit të tij për të studiuar mangësitë e zbulimit amerikan para luftës në Irak.

Në një variant josekret të raportit prej 700 faqesh, komisioni i quan vlerësimet e para luftës që Iraku kishte arsenale armësh të shkatërrimit në masë “dështim të madh të zbulimit”. Vlerësimet e zbulimit përbënin bazën e argumentave të para të administratës së Presidentit Bush për pushtimin e Irakut. Raporti iu paraqit dje Presidentit Bush, i cili u tha gazetarëve se ishte dakord me përfundimin kryesor të komisionit: komuniteti amerikan i zbulimit ka nevojë për ndryshime thelbësore. “Presidenti dhe ekipi i tij i sigurimit kombëtar duhet të kenë në dorë të dhëna të freskëta dhe të sakta”.

Lidhur me Irakun, raporti fajëson mjaft paaftësinë e komunitetit të zbulimit për të grumbulluar informacion të mirë mbi programe irakiane të armëve të shkatërrimit në masë, siç thuhet në të. Një nga kryetarët e komisionit, Gjykatësi Laurence Silberman, thotë se analistët kishin informacion të paktë konkret lidhur me armët e Saddam Husseinit. Ai thotë se ata, duke u bazuar në atë informacion, thjesht supozuan në lidhje me atë që Saddam Hussein mund të bënte. "Edhe pse është krejt e kuptueshme që zbulimi të hamendësonte apo të bënte supozime, komuniteti i zbulimit duhej të bindej për provat tepër të pakëta e mungesën e informacionit dhe kjo do të kishte qenë e justifikueshme," thotë gjykatësi Silberman.

Megjithatë, komisioni thotë se nuk ka gjetur prova që agjencitë e zbulimit i shtrembëruan t dhënat për të mbështetur argumentimin e Administratës së Presidentit Bush për pushtimin e Irakut. Komisioni tha se Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për agjenci zbulimi që bashkëpunojnë me njera-tjetrën në mënyrë më krijuese dhe të gatshme të ndërmarrin rreziqe. Drejtuesi tjetër i komisionit, Senatori Charles Robb: "E pranojmë faktin që Amerika u bazua tek hamendjet. Komuniteti i zbulimit e pranon këtë. Të gjithë që folën me komisionin e pranojnë. Por, tani po përpiqemi të veprojmë në mënyrë konstruktive, të rikthejmë besimin," thotë senatori Rob.

Ndërmjet rekomandimeve të tij, raporti i sugjeron Presidentit Bush t’i japë Drejtorit të Zbulimit Kombëtar, John Negroponte, kompetenca më të gjera për mbikqyrjen e 15 agjencive. Raporti sugjeron gjithashtu ndryshime themelore në FBI, përfshirë bashkimin e zyrës së kundërterrorizmit dhe asaj të burimeve të kundërzbulimit në një zyrë të re. Megjithatë, raporti i lavdëron agjencitë e zbulimit për rolin e tyre në vendimin e Libisë për të hequr dorë nga programet e armëve dhe zbulimin e rrjetit të përhapjes së armëve bërthamore nga një shkencëtar pakistanez.

Gjykatësi Silberman dhe Senatori Robb thonë se pjesëtarët e komisionit do të informojnë javën e ardhshme komisionet Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit për zbulimin në lidhje me këtë raport.

XS
SM
MD
LG