Lidhje

Intervistë me analistin Nikolas Gvosdev mbi alternativat për zgjidhjen e statusit të Kosovës


Nikolas Gvozdev, redaktor i revistës National Interest, i tha Zërit të Amerikës se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian mund të dalin me një zgjidhje për statusin e Kosovës që të mos ketë nevojë të kalojë nëpër miratimin e OKB-së.

Zëri i Amerikës: Zoti Gvozdev, shumë po flitet kohët e fundit për pavarësinë e Kosovës. A duhen konsideruar bisedimet e ardhëshme për statusin e saj si bisedime për pavarësinë?

Nikolas Gvosdev: Natyrisht që bisedimet e ardhëshme nuk do të quhen bisedime për pavarësinë, sepse përndryshe kjo do të minonte negociatat para se ato të fillonin. Prandaj ne do të vazhdojmë të shikojmë përdorimin e një lloj gjuhe neutrale, si bisedime për statusin përfundimtar, terminologji kjo e paqartë, e cila nuk nënkupton as sovranitet të plotë dhe as shtet të përbashkët ose konfederatë dy apo trishtetesh, në varësi se si do të zhvillohen ngjarjet në Mal të Zi. Megjithatë mendoj se është e qartë një gjë: se të gjithë e kuptojnë se statusi përfundimtar i Kosovës do të jetë ai i një shteti në thelb të pavarur, por mbetet për t’u parë nëse kjo do të bëhet me mekanizma të tilla si shteti i përbashkët, për të cilat bisedojnë aktualisht armenët dhe azerbaixhanasit lidhur me Nagorno-Karabakun apo do të ndiqet modeli i një shteti krejtësisht sovran si Eritrea dhe Etiopia. Por sidoqoftë, të gjithë e kuptojnë se nuk ka kthim prapa në gjendjen e para vitit 1989.

Zëri i Amerikës: Le të flasim pak për rolin e Beogradit. Deri tani Beogradi ka luajtur një rol pak a shumë pengues në proceset politike të Kosovës. Çfarë roli mendoni se do të luajë Beogradi në bisedimet e ardhëshme për statusin?

Nikolas Gvozdev: Mendoj se po fillon të ndodhë një ndryshim, sepse Beogradi po e kupton se statusi përfundimtar nuk mund të shtyhet pafundësisht. Kjo taktikë ka qenë përdorur më parë me shpresën se do të krijohej një farë lodhjeje gjë që mund të sillte ndryshim në favor të Beogradit. Por tani Beogradi po e kupton se në fakt ekziston një lodhje lidhur me Kosovën por në sensin e kundërt - që ta bëjë Beogradin të thotë: përse të mos e lejojmë Kosovën të bëhet plotësisht e pavarur dhe të shpëtojmë se sa të përpiqemi të negociojmë në suazën e rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, tek e cila i kishte varur shpresat Beogradi. Ndoshta kjo do të çojë në riangazhimin e procesit politik por ka edhe rëndësi në aspektin që serbët e Kosovës do të kishin mundësi të merrnin më shumë në dorë fatet e tyre duke marrë pjesë në institucionet se sa duke i bojkotuar ato, siç bënë sunitë në zgjedhjet irakiane, pasi siç treguan këto zgjedhje, bojkotimi nuk është rruga me të cilën mund të rrisësh ndikimin. Dhe ne shikojmë se një ndryshim i tillë po fillon të ndodhë.

Zëri i Amerikës: Zoti Gvozdev, mendoni se Shtetet e Bashkuara dhe Evropa do ta anashkalojnë Këshillin e Sigurimit kur të vijë puna për çështjen e statusit përfundimtar, për shembull çfarë do të thoshin Rusia dhe Kina për këtë status?

Nikolas Gvozdev: Kjo do të jetë një çështje tjetër që duhet zgjidhur sepse Kinës, e cila sapo ka miratuar një ligj kundër shkëputjes që synon Taivanin, Tibetin dhe Sinkiangun, nuk do t’i pëlqente që Kombet e Bashkuara të njihnin atë që ato do ta shihnin si shkëputje e një pjese të një shteti sovran për t’u bërë një shtet i pavarur. Pozita ruse është më e paqartë sepse Rusia është e interesuar ndoshta për ta përdorur Kosovën si shkëmbim për disa nga shtetet në rajonin e Detit të Zi që ende nuk janë njohur si të pavarur, si Transnistria, Nagorno-Karabaku dhe Abkhazia. Kjo mendoj se mund të çojë në një situatë në të cilën Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian mund të dalin me një zgjidhje që të mos ketë nevojë të miratohet në Kombet e Bashkuara. Por problemi është se Beogradi mund të mos nënshkruajë asnjë marrëveshje që nuk kalon përmes OKB-së. Megjithatë, nëse krijohet një situatë që është në thelb e pranueshme nga palët në terren, atëhere nuk mendoj se ndonjë fuqi e jashtëme, qoftë edhe Kina, do të përpiqej t’i vinte veton.

XS
SM
MD
LG