Lidhje

Ish Sekretarja e Shtetit Madalene Albright komenton për luftën e Kosovës


Megjithëse ka kaluar një vit e gjysmë që nga botimi i librit me kujtime Madam Secretary - Zonja Sekretare, autorja e tij, ish sekretarja e shtetit Madeleine Albright, ka ende shumë për të thënë rreth ngjarjeve të vitit 1999 në Kosovë, kur ajo ishte kreu i diplomacisë amerikane. Në takimet me lexuesit në Uashington, zonja Albright iu përgjigj këto ditë pyetjeve rreth viteve të saj në Departamentin e Shtetit. Kolegu ynë Arben Zajmi ishte në një librari të Uashingtonit dhe e pyeti zonjën Albright për njërin prej subjekteve të saj të preferuar - Kosovën.

Zëri i Amerikës: Zonja Albright, ju thatë se Kosova është një prej gjërave për të cilat ju e ndjeni veten më krenare. A mund të na thoni diçka më tepër rreth kësaj?

Sekretarja Albright: Kosova ishte në një situatë të tillë ku kishte spastrime etnike në masë gjë që çoi në krijimin e mijëra refugjatëve. Ne arritëm ta zgjidhim këtë situatë, t’i kthenim kosovarët në shtëpitë e tyre dhe bëmë çfarë ishte e mundur për t’i ndihmuar që ata të merrnin më shumë në dorë jetën e tyre. Megjithatë, kjo histori nuk ka mbaruar. Shumë hapa që janë ndërmarrë kanë qenë pozitive, por mendoj se ky është një vit shumë i rëndësishëm për Kosovën sepse do të zhvillohen bisedime mbi statusin dhe do të shikojmë se çfarë qendrimesh do të mbajnë Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

Zëri i Amerikës: Ju thatë se nëse do të kishit mundësi, ju do t’i bënit ndryshime procesit të negociatave nëpër të cilat kaloi Kosova. A keni parasysh këtu Rambujenë dhe çfarë do të kishit ndryshuar?

Sekretarja Albright: Të gjithë i bëjnë analizën e tyre Rambujesë. Unë mendoj se ne bëmë çdo gjë që mundëm. A do të kishim mundur ne ta bindim Millosheviçin të vinte në Rambuje? Mendoj se ai nuk do të kishte ardhur. Dëshira ime do të kishte qenë që delegacioni shqiptar në Rambuje të kishte rënë dakord më shpejt lidhur me propozimet e bëra atje sepse vonesa i dha Millosheviçit kohë për të menduar se ai po fitonte. Por në përgjithësi, mendoj se nga pikpamja diplomatike ne bëmë gjithçka mundëm me Millosheviçin për t’i vënë gjërat në rrugën e duhur.

Zëri i Amerikës: Si i shikoni ju zhvillimet e fundit në Kosovë, siç ishte dorëzimi i ish kryeministrit Haradinaj në Gjykatën e Hagës dhe si e shikoni çështjen e vlerësimit të standardeve?

Sekretarja Albright: Mendoj se ai bëri atë që duhej. Në fakt, në bisedën që pata sot, vura re se njerëzit mendojnë se gjërat po shkojnë mjaft qetë, po të kemi parasysh faktin se një kryeministër popullor iu dorëzua Gjykatës së Krimeve të Luftës. Prandaj shpresoj se gjërat do të zhvillohen qetësisht dhe se çështjet e statusit do të zgjidhen me kujdes dhe në mënyrë të padhunshme, pasi kjo është shumë e rëndësishme.

XS
SM
MD
LG