Lidhje

Fischer: Statusi i Kosovës kërkon një konsensus ndërkombëtar


Shefi i diplomacisë gjermane Joshka Fischer, veçoi sot disa çështje që ai i quajti më të rëndësishmet për periudhën aktuale të zhvillimeve në Kosovë.

Në radhë të parë tha ai duhet të punohet në mënyrë energjike në përmbushjen e standardeve, pastaj në reformimin e pushtetit komunal ku pakicat kombëtare do të fitojnë më shumë të drejta. Ai i bëri këto komente pas takimeve me udhëheqësit kryesor politik vendës gjatë vizitës së tij njëditëshe që filloi me vonesë për shkak të siç u tha problemeve teknike.

Zoti Fischer tha sot se plotësimi i standardeve dhe reformimi i pushtetit vendës hapin rrugën për fillimin e zgjidhjes së statusit politik të Kosovës. “Për çështjen e statusit nevojitet një konsensus ndërkombëtar dhe sa më shpejtë që në Kosovë të zgjidhen problemet praktike aq më e lehtë do të jetë edhe zgjidhja e këtij statusi”, tha shefi i diplomacisë gjermane. “Përpjekjet që kanë filluar me zbatimin e standardeve, me mbrojtjen e pakicave, zbatimin e procesit të decentralizimit, të vazhdojnë hap pas hapi dhe ky do të jetë një parakusht i mirë për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës”, tha ministri gjerman duke nënvizuar se e ardhmja e Kosovës, në rend të parë është me rëndësi për njerëzit që jetojnë këtu, përfshirë edhe pakicat.

Për Kosovën duhet kërkuar një perspektivë evropiane, tha ministri Fischer duke hedhur poshtë çdo mundësi për ndarjen tokësore të saj. Për të lëvizur drejt Evropës duhet përmbushur standardet që nënkuptojnë, luftën kundër korrupsionit krimit të organizuar dhe që në Kosovë të vendoset një drejtësi e pavarur.

Mikpritësit e tij presidenti Ibrahim Rugova dhe kryeministri Bajram Kosumi janë zotuar për përmbushjen me kohë të standardeve dhe për siç thanë ndërtimin e një Kosove shumetnike demokratike dhe tolerante.

XS
SM
MD
LG