Lidhje

Përgatitjet e fundit të anijes së hapësirës Discovery


Udhëtimi prej 7 kilometrash për në platformën e lëshimit u shty për pak kohë pas zbulimit të një të krisure sa fija e flokut në izolimin e jashtëm të depozitës së karburantit. Por specialistët arritën në përfundimin se ajo nuk përbënte rrezik. Nasa është tepër e kujdeshme këto ditë. Programi i hapësirës është pezulluar që kur anija Kolumbia u shkatërrua në vitin 2003 ndërsa po ulej duke shkaktuar vdekjen e 7 astronautëve në bord.

Anijes Discovery dhe dy anijeve të tjera të mbetura u janë bërë modifikime të shumta për t’i bërë më të sigurta. Një prej tyre është të mos lejohen shtresat izoluese të depozitës së karburantit të shkëputen gjatë lëshimit të anijes duke e dëmtuar atë. Pikërisht kjo shkaktoi shkatërrimin e Kolumbias.

“Puna është përqëndruar në pakësimin e copave që bien. Besojmë se e kemi ulur rrezikun.”

Por specialisti i Nases, Wayne Hale, thotë se megjithë përmirësimet Nasa nuk mund të përjashtojë 100 përqind mundësinë e shkëputjes së ndonjë cope izoluese.

“Mundësia ekziston gjithmonë. Fluturimi nuk mund të jetë pa rrezik.”

Zyrtarët e Nasës shpresojnë se Discovery do të lëshohet në mes të majit ose në fillim të qershorit për të dërguar furnizime në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës. Por Nasa po ashtu po harton plane që anijet e tanishme për vajtje ardhje në hapësirë, që janë të vjetëruara, të mos përdoren më. Presidenti Bush i ka kërkuar Nasës që anijet e tanishme të mos përdoren më pas vitit 2010 kur përfundon së ndërtuari stacioni ndërkombëtar i hapësirës.

XS
SM
MD
LG