Lidhje

Irak: një grup i panjohur ekstremist rrëmben një diplomat pakistanez


Pakistani tha se një grup ekstremist ka rrëmbyer një pjesëtar të stafit të ambasadës së tij në Bagdat, i cili u zhduk të shtunën pasi po shkonte në një xhami për t’u lutur.

Ministria e Jashtme e Pakistanit tha se një grup kryengritës i panjohur më parë me sa duket ka rrëmbyer diplomatin pakistanez Malik Mohamed Javed. Zyrtarët në Islamabad bënë thirrje për lirimin e tij. Ministria tha se personi i zhdukur kishte kontaktuar ambasadën pakistaneze në Bagdat dhe kishte thënë se ishte në gjendje të mirë fizike.

Në një tjetër incident, ekstremistë me lidhje me Al-Kaidën thonë se kanë rrëmbyer dhe kanë vrarë një zyrtar të lartë të policisë irakiane në Bagdad. Në një deklaratë me internet thuhet se viktima, një polic me gradë të lartë i qytetit të Naxhafit, e rrëmbyen dhe e vranë mbrëmë. Vërtetësia e deklaratës nuk është provuar.

Dhjetëra shtetas të huaj janë rrëmbyer në Irak gjatë vitit të kaluar. Disa prej tyre janë liruar pa u dëmtuar, ndërsa të tjerë janë vrarë dhe më pas janë gjetur trupat e tyre të gjymtuar.

XS
SM
MD
LG