Lidhje

Përfaqësues të Grupit Ndërkombëtar të Kontaktit për Kosovën do të vizitojnë Beogradin


Përfaqësues të Ministrive të Jashtme të gjashtë vendeve anëtare të Grupit të Kontaktit – nga SHBA, Rusia, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia, si dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian e të Komisionti Evropian - do të vizitojnë Beogradin. Ata do të takohen me Presidentin e Unionit Serbi-Mali i Zi, Svetozar Maroviç, Ministrin e Jashtem të këtij unioni, Vuk Drashkoviç, Presidentin e Serbisë, Boris Tadiç, Kryeministrin e Serbisë, Vojisllav Koshtunica, dhe Shefin e Qendrës Bashkërenduese për Kosovën, Nebojsha Çoviç.

Në qendër të vëmendjes të bisedimeve do të jetë realizimi i standardeve në Kosovë, mundësia e përfshirjes së serbëve në institucionet e vendase, fillimi i dialogut midis Beogradit e Prishtinës dhe përgatitjet për fillimin e negociatave rreth statusit të Kosovës. Kryeministri Koshtunica u shpreh para tri ditësh se me takimin me përfaqësuesit e Grupit të Kontaktit do të fillojnë praktikisht bisedimet për arritjen e standardeve. Ai paralajmëroi se qeveria e tij ”do të mbajë qëndrim tejet aktiv në këtë drejtim”.


Përfaqësuesit e Grupit të Kontaktit pas Beogradit, të martën do të shkojnë në Kosovë që të bisedojnë me përfaqësuesit e pushtetit vendor e ndërkombëtar për të njëjtën temë. Kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi, deklaroi ditët e fundit se do të kërkojë t’u transmetojë përfaqësuesve të Grupit të Kontaktit kërkesën për një qëndrim më të qartë të bashkësisë ndërkombëtare lidhur me statusin përfundimtar të Kosovës dhe sqarimin e kornizës për zgjidhjen e statusit.

Zyrtarët e UNMIK-ut, nga ana e tyre, deklaruan se ka filluar faza e fundit e vlerësimit të standardeve, gjatë së cilës do të shqyrtohen se sa është arritur sejcili nga parametrat e përcaktuar.

Përfaqësuesit e Grupit të Kontaktit do të hartojnë procedurën e re teknike të standardeve, kurse fjalën e fundit, me siguri në qershor, do ta japë Këshilli i Sigurimit i OKB-së me vlerësimin e përgjithshëm, nga i cili varet fillimi i bisedimeve mbi statusin e Kosovës.

Në qoftë se ky vlerësim do të jetë pozitiv, sipas shefit të UNMIKut, Jesen Petersen, bisedimet mund të fillojnë qysh në shtator të këtij viti. Mirëpo, shumica e mediave serbe botuan të djelën një informatë diplomatike nga Parisi, sipas të cilës në kuadrin e Grupit të Kontaktit po zhvillohen konsultime intensive për gjetjen e një zgjidhjeje kalimtare për statusin e Kosovës. Burimet në fjalë thonë se zgjidhja kalimtare është më se e domosdoshme meqë ende nuk ka pajtim rreth statusit final të

Kosovës. //az//

XS
SM
MD
LG