Lidhje

Kandidati amerikan për ambasador në Kombet e Bashkuara, Xhon Bolton, përballet  me pyetje të vështira në Kongres


Zoti Bolton i cili aktualisht shërben si nën-sekretar shteti për kontrollin e armëve, u zotua të punojë me vendet e tjera për të forcuar Kombet e Bashkuara - një organizatë që ai e ka kritikuar si të korruptuar dhe të pavlerë.

Të hënën ai dëshmoi para Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit: “Kombet e Bashkuara na japin mundësinë për të çuar përpara qëndrimin tonë të bashkuar në synime. Tani më tepër se kurrë, Kombet e Bashkuara duhet të luajnë një rol kritik ndërsa përpiqen të plotësojnë ëndrrat, shpresat dhe aspiratat e premtimeve origjinale të krijimit të OKB-së për të shpëtuar brezat e ardhshëm nga shkatërrimet e luftës, për të ripohuar beismin tek të drejtat-bazë të njeriut dhe për të premtuar përparim social dhe standarte më të mira jete me liri më të madhe.”

Ai tha se, nëse konfirmohet, përparësitë e tij si ambasador në Kombet e Bashkuara do të jenë forcimi i të drejtave të njeriut, zhdukja e armëve të shkatërrimit në masë, lufta kundër terrorizmit dhe lufta kundër Sidës.

Por anëtarë demokratë të komisionit, që pritet ta kundërshtojnë kandidaturën e tij, e vunë në pikëpyetje angazhimin e tij ndaj Kombeve të Bashkuara për shkak të kritikave ndaj kësaj organizate dhe pikëpamjeve të tij të ashpra për vende, si Koreja e Veriut dhe Irani.

Senatori Xhon Kerri nga Masaçusets, i cili konkuroi ndaj Presidentit Bush në zgjedhje, e kritikoi zotin Bolton. “Për dy nga çështjet më të rëndësishme përsa i përket përhapjes së armëve bërthamore, me të cilat ndeshemi sot, Koreja e Veriut dhe Irani, zoti Bolton e ka kundërshtuar idenë e bisedimeve të drejtëpërdrejta me secilin prej tyre, edhe pse aleatët na e kërkuan këtë.”

Demokratët janë të shqetësuar se zoti Bolton, si ambasador në OKB, mund të vërë në rrezik përpjekjet e fundit të Presidentit Bush për të përmirësuar marrëdhëniet diplomatike të keqësuara për shkak të luftës në Irak.

Po ashtu ata janë të shqetësuar nga akuzat e fundit se zoti Bolton është përpjekur të pushojë nga puna dy analistë të zbulimit të cilët nuk ishin dakort me të lidhur me pohimin e tij se Kuba zotëron armë të shkatërrimit në masë.

Senatori Joe Biden është demokrati më i lartë në këtë komision. Ai tha: “Xhon, unë kam respekt për saftësitë tuaja dhe të kapacitetin tuaj intelektual. Por është gjykimi yt, temperamenti dhe mënyra si i trajton shumë prej këtyre çështjeve që më bën të mendoj.”

Zoti Bolton e pranoi se është përpjekur t’i transferojë dy analistët në vende të tjera pune, por shtoi se kjo nuk kishte të bënte me ndryshimin e pikëpamjeve midis tij dhe analistëve.

Republikanët, që kanë kontrollin e senatit, nuk i kanë kushtuar rëndësi kritikave dhe thonë se zoti Bolton do të jetë një kandidat i fortë për të kryesuar reformat që u duhen Kombeve të Bashkuara pas skandalit të fundit të korrupsionit me programin naftë-për-ushqime. Xhorxh Allen është senator i Virxhinias në këtë komision. Ai iu drejtua zotit Bolton: “Mendoj se presidenti, duke të zgjedhur ty, bëri zgjedhjen e duhur. Fakti që më parë ka patur debate, mendoj se është gjë e mirë përsa u përket amerikanëve, pasi ju do t’i jepnit besueshmëri Kombeve të Bashkuara, për të cilën ato kanë nevojë.”

Demokratët shpresojnë të bindin të paktën një senator republikan në komision që të shprehet kundër zotit Bolton, gjë që do të bllokonte dërgimin e kandidaturës së tij në Senat për të votuar.

Nëse konfirmohet, zoti Bolton do të zëvendësojë ambasadorin e tanishëm Xhon Danforth, i cili dha dorëheqjen pas qëndrimit në detyrë vetëm për 6 muaj si ambasador. //az//

XS
SM
MD
LG