Lidhje

Irak: 15 të vrarë dhe dhjetra të plagosur nga dy sulme vetëvrasëse


Zyrtarët irakianë thonë se të paktën 15 persona u vranë dhe dhjetra u plagosën sot në dy sulme të bashkërenduara vetëvrasëse me makina bomba në Bagdad.

Përgjegjësinë për shpërthimet në një rrugë shumë të frekuentuar para Ministrisë së Rendit e mori grupi terrorist i al-Kaidës në Irak, kryesuar nga terroristi i kërkuar Abu Musab al-Zarqawi.

Në veri, në Tikrit, ushtria amerikane tha se një makinë bombë shpërtheu pranë një baze ushtarake, duke shkaktuar plagosjen e një ushtari të koalicionit dhe dy ushtarëve irakianë.

Ushtria amerikane tha se nuk pati viktima mes civilëve, por policia vendore tha se 9 civilë u plagosën.

Ndërkohë nuk ka patur njoftime të reja për fatin e një kontraktori amerikan që u rrëmbye të hënën në Irak dhe u shfaq në një video të transmetuar dje nga televizioni al-Jazeera.

XS
SM
MD
LG