Lidhje

Kina nuk ka pranuar të kërkojë ndjesë për demonstratat anti-japoneze


Kina nuk ka pranuar të kërkojë falje për protestat disa javore që përfshinë vendin, nganjëherë të karakterizuara nga akte dhune.

Ministri i Jashtëm i Kinës Li Zhaoxing i tha në Pekin homologut të tij japonez Nobutaka Machimura se Kina nuk ka bërë asgjë për të cilën të kërkojë falje. Ai shtoi se Japonia është fajtore pasi ka ofenduar ndjenjat e popullit kinez. Ai përmendi interpretimin e historisë nga Tokioja, duke iu referuar librave shkollorë në Japoni ku nuk u kushtohet vëmendje mizorive të viteve 1930 dhe 1940. Zoti Machimura shkoi në Pekin për t’i kërkuar Kinës të ndërmarrë masa serioze dhe të menjëhershme për t’u dhënë fund protestave.

Të dielën mijëra kinezë morën pjesë në protesta anti-japoneze në Hong Kong, Shenzhen dhe qytete të tjera, në demonstrata që vazhdojnë për të tretën fund-javë radhazi. Protestuesit kanë kundërshtuar gjithashtu edhe përpjekjet e Tokios për të siguruar një vend në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Demonstrata u zhvilluan edhe në Hong-Kong ku qindra vetë protestuan kundër krimeve të kryera nga Japonia gjatë luftës. Demonstruesit mbanin parulla kundër militarizmit japonez dhe bënin thirje për tërheqjen e trupave japoneze nga ishujt ndaj të cilëve ka pretendime edhe Kina. Por ndryshe nga demonstratat në Kinë, protestat në Hong Kong ishin paqësore.

XS
SM
MD
LG