Lidhje

Etika dhe e drejta për të vdekur


Para pak kohësh, çështja e Terri Schiavos, gruas me dëmtime në tru, të cilës iu hoq tubi që e ushqente, bëri shumë bujë në Shtetet e Bashkuara. Vendimi për heqjen e tubit u vu në qendër të mediave dhe rihapi debatet për të drejtën që ka njeriu të vendosë për vdekjen e vet. Të gjithë e pranojnë se ndërprerja e kurës së pacientit është një vendim i vështirë etik por çështja është se sa i justifikueshëm është ky vendim në rrethana të ndryshme që paraqiten në jetën reale.

Bioeticistët kanë qëndrime të ndryshme për rastet se kur mund të hiqet tubi që mban gjallë një njeri, apo kur mund të kërkohet ndërprerja e kujdesit mjekësor. Shumë udhëheqës fetarë e dënuan heqjen e tubit që ushqente Terri Schiavon. Në Qendrën për Bioetikën Klinike në Qendrën Mjekësore të Universitetit Georgetown në Washington, Doktor John Collins Harvey thotë se ndërprerja e kurës është një vendim i vështirë etik, por i justifikueshëm në disa rrethana të veçanta.

“Kurimi dhe kujdesi i një natyre shumë të veçantë si ato për mbajtjen në jetë të njerëzve, nuk kanë vlerë të përdoren për një pacient që është në prag të vdekjes nga sëmundja. Individi që është në një gjendje të vazhdueshme vegjetative vuan nga një sëmundje vdekjeprurëse e pashërueshme, e pakurueshme dhe çdo lloj kure e teknologjisë së lartë, nuk bën asgjë përveçse ia zgjat vdekjen,” thotë Dr. John Collins Harvey.

Papa Gjon Pali mesa duket nuk i pranoi disa kura, kur mori vendimin që të mos shtrohej përsëri në spital. Doktor Harvey thotë se vendimi për të ndërprerë kurimin, bëhet edhe duke krahasuar të mirat që do të sillte kurimi me problemet që mund të shkaktojë. Kur nuk ka shpresa për shërim, kurimi i vazhdueshëm mund ta zgjasë vuajtjen e pacientit, të familjes, madje edhe të shoqërisë.

“Nëse të mirat që sjell kurimi nuk janë të njëjta me vështirësitë të cilave duhet t’u nënshtrohen për t’u kuruar, atëherë ne e ndërpresim kurimin,” thotë Dr. Harvey. Por bëhen gjithashtu edhe vlerësime ligjore. Profesor Bob Tuttle është specialist i etikës në Fakultetin Juridik të Univerisitetit George Washington.

“Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara ka thënë se njerëzit kanë të drejtën të marrin vendime lidhur me kujdesin e tyre shëndetësor, përfshirë vendimet nëse do të donin që të mbaheshin gjallë ose jo,” thotë profesore.

Profesor Tuttle thotë se më të vështira për të vendosur janë rastet e ngjashme me atë të Terri Schiavos kur dikush duhet të marrë një vendim për pacientin dhe anëtarët e familjes kanë mendime të ndryshme. Por ka edhe një qëndrim tjetër.

“Një parimi tjetër vjen nga një rast tjetër po nga Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara, para rreth 5 vjetësh kur gjykata tha se njerëzit nuk kanë të drejtën që të marrin ndihmë mjekësore për të vrarë veten,” thotë profesor Tuttle.

Por votuesit e shtetit të Orgeonit miratuan një Ligj për Vdekje me Dinjitet që u lejon mjekëve të japin receta për ilaçe që shkaktojnë vdekjen, për pacientët që nuk kanë më shpresa për t’u shëruar që duan t’i japin fund jetës së tyre. Adminstrata e Presidentit Bush është kundër këtij ligji. Gjykata e Lartë amerikane do të marrë në shqyrtim apelimin ndaj këtij ligji pas disa muajsh.

XS
SM
MD
LG