Lidhje

Diplomaci publike për përmirësimin e imazhit amerikan tek myslimanët


Presidenti Bush i ka kërkuar njërës prej këshilltareve më të besuara politike, Karen Hughes, të drejtojë përpjekjet e administratës për të përmirësuar imazhin e Amerikës jashtë vendit mes myslimanëve. Si kandidate për postin e Nënsekretares së Shtetit për Diplomacinë Publike, zonja Hughes do të përballet tani me seancat për miratimin në këtë post në Senatin Amerikan. Po çfarë është në të vërtetë diplomacia publike dhe çfarë duhet bërë që kjo fushatë të jetë e suksesshme?

“Mendoj, thotë Sekretarja e Shtetit, Condolezza Rice, se Karen Hughes është personi më i përshtatshëm për këtë detyrë, për t’i paraqitur botës Amerikën, për të nxitur dialogun e Amerikës me botën dhe për të çuar përpara vlerat universale të botës”. Kur shpalli kandidaturën e zonjës Hughes për postin e Nënsekretares së Shtetit për Diplomacinë Publike, Sekretarja e Shtetit Condoleezza Rice tha se Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë një punë më të mirë në drejtim të diplomacisë publike. Ajo tha gjithashtu se në gjithë botën ka shumë njerëz që nuk i njohin vlerat e Amerikës dhe përpjekjet të saj për të çuar përpara demokracinë.

Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, Shtetet e Bashkuara e pranuan se në shumë pjesë të botës kishte ndjenja anti-amerikane, veçanërisht në botën myslimane. Helle Dale e fondacionit Heritage në Washington, thotë se një pjesë e problemit është se Shtetet e Bashkuara nuk kanë mbajtur shumë lidhje me pjesën më të madhe të botës myslimane, përfshirë vendet arabe, Indonezinë dhe Pakistanin. Por ajo thotë se Shtetet e Bashkuara janë shumë të njohura në ato vende. “Nuk diskutohet që njerëzit në këto vende flasin për ne. Në fakt, disa vende, duket se janë të magjepsur nga Amerika. Nëse ne nuk bëhemi pjesë e këtyre diskutimeve për vendin tonë, ata do ta krijojnë vetë idenë për të, do të bazohen tek imazhet e Hollivudit, mjeteve të komunikimit, që sigurisht janë produkte të Shteteve të Bashkuara, por tregojnë vetëm një pjesë të tyre”.

Një grup këshillimor, i ngritur me fondet e kongresit, e studioi këtë problem dhe nxori një raport në vitin 2003, ku propozonte mënyra të reja për afrimin e Shteteve të Bashkuara me botën arabe dhe myslimane. Ambasadorja Diana Lady Dougan ishte një nga anëtaret e këtij grupi. Ajo thotë se këto përpjekje duhen bërë në nivelin e njerëzve të thjeshtë dhe duhet të kenë si objektiv të rinjtë. “Mbi 50 për qind e popullsisë në botën myslimane është 16 vjeç e poshtë. Kështu mes të tjerash ne duhet të bëjmë përpjekje të afrojmë një brez që nuk ka lindur me urrejtje në gjak. Ata nuk kanë lindur me mendimin se ka një botë myslimane dhe një botë tjetër”.

Kur Sekretarja e Shtetit Rice deklaroi emërimin e saj, Karen Hughes shprehu të njëjtin mendim. Ajo tha se e vetmja mënyrë që e ardhmja të jetë paqësore është që fëmijët e botës të mësohen të respektojnë dhe të vlerësojnë ndryshimet tek njëri-tjetri. “Kjo punë do të jetë e vështirë. Përshtypjet e krijuara nuk ndryshojnë as shpejt, as lehtësisht. Është një luftë idesh. Është e qartë se në botën pas 11 shtatorit, duhet të punojmë më shumë për angazhimin e botës myslimane. Siç njoftoi Komisioni i 11 shtatorit, nëse Shtetet e Bashkuara nuk punojnë intensivisht për të ofruar një përkufizim të vetvetes, esktremistët do ta marrin me kënaqësi një rol të tillë. Përpjekjet tona për diplomaci publike duhet gjithashtu të shtrihen edhe më gjerë: nga Evropa në Amerikën Latine”.

Ambasadorja Dougan është e një mendjeje që Shtetet e Bashkuara duhet t’u afrohen myslimanëve, sidomos në Evropë. “Fakti që Evropa ka një popullsi myslimane të madhe dhe në rritje, e bën të logjikshme që të përqendrohemi jo vetëm tek myslimanët e Lindjes së Mesme, apo Indonezisë, që është vendi më madh mysliman në botë, por edhe në Evropë. Është një shtrirje e arsyeshme në një zonë, ku ka pasur shumë ide të shtrembëruara”.

Ibrahim Hooper, zëdhënës i Këshillit për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike mendon ndryshe. Ai thotë se Amerika nuk pëlqehet në botën myslimane për shkak të politikave të saj, për të cilat ai thotë se duhet të ndryshojnë. “Mendoj se kyçi është politika ndaj Lindjes së Mesme. Ne duhet të mbajmë një qëndrim të balancuar ndaj konfliktit Izraelito-Palestinez. Ne duhet të konsiderohemi si ndërmjetës të ndershëm. Për dekada me radhë ne kemi lënë përshtypjen e një njëanshmërie të jashtëzakonshme në këtë mosmarrëveshje dhe mendoj se kjo është çështja kryesore me të cilën duhet të merremi”.

Zoti Hooper thotë gjithashtu se shpreson që Karen Hughes të jetë në gjendje të ndikojë në politikën amerikane, për shkak të lidhjes së ngushtë që ka me Presidentin Bush. Kjo, thotë ai, i jep asaj më shumë shanse të jetë e suksesshme në paraqitjen e një imazhi më pozitiv dhe të balancuar të Amerikës në botën myslimane. //az//

XS
SM
MD
LG