Lidhje

Zgjedhja e Kardinalit Jozef Ratzinger si Papa i 265, është pritur me reagime të ndryshme


Papa Benedikti i 16 dha dje meshën e parë si Papë në Kapelën Sistine, në të njejtin vend ku ai ishte zgjedhur një ditë më parë për të kryesuar kishën katolike. Të premten Papa takohet me kardinalët, të shtunën do të japë një konferencë shtypi dhe të djelën do të mbajë meshën përuruese. Zgjedhja e Kardinalit Jozef Ratzinger si Papa i 265, është pritur me reagime të ndryshme.

Papa Benedikti i 16, trashëgoi një kishë me 1 presje 1 miliardë besimtarë në mbarë botën. Zgjedhja e kardinalit Ratzinger që në ditën e dytë të konklavës, lë të kuptohet se kardinalët synonin vazhdimësinë. At John Wauck është profesor në Universitetin e Kryqit të Shenjtë në Romë.

“Më tepër se fitore për konservatorët, zgjedhja e Kardinalit Ratzinger është simbol i bashkimit të Kishës. Shpejtësia me të cilën u zgjodh ai po ashtu duket se tregon se nuk kishte ndarje të mëdha në kolegjin e kardinalëve dhe se votimi për të ishte një vendim relativisht i lehtë. Është vazhdimësi e Papa Gjon Palit të Dytë.”

Në papatin e Gjon Palit të Dytë, ish kardinali Ratzinger drejtonte zyrën e Vatikanit që meret me zbatimin e doktrinës së kishës. Megjithëse të dy ata kishin pikëpamje të ngjashme për doktrinën, stilet e tyre ndryshonin. At Joseph Komonchak është profesor i studimeve fetare në Universitetin Katolik këtu në Uashington. “Papa i ri ka për të patur një stil tjetër. Gjon Pali i Dytë ishte përherë i gëzuar para grumbullimeve të mëdha. Ai dukej se merte energji prej tyre. Joseph Ratzinger është ndryshe. Nuk besoj se ai do të udhëtojë aq shumë sa papa para tij. Unë do të dëshiroja që Papa i ri të vendoste rregull në kishën katolike.”

Ndërsa disa besimtarë u gëzuan me zgjedhjen e tij, të tjerë kanë rezerva për shkak të pikëpamjeve të tij konservatore. Disa katolikë amerikanë janë kundër qëndrimit të papës së ri për çështje të tilla si kontrolli i lindjeve, gratë si priftëresha dhe homoseksualitetin. Por At Joseph Komonchak thotë se duhet parë se ç’vendime do të marrë Papa. “Ai do të mësohet me detyrën e re. Nuk është ndryshim i vogël, megjithëse edhe më parë ai ishte i rëndësishëm. Por tani çdo fjali e tij, edhe e thënë si rastësisht, mund të botohet diku. Ai duhet të jetë më i kujdesshëm në këtë drejtim dhe duhet të dëgjojë njerëzit.”

Gjatë meshës në Kapelën Sistine, Papa Benedikti i 16, u zotua të punojë për bashkimin e të krishterëve dhe për të zbatuar detyrat e Këshillit të Dytë të Vatikanit, një seri reformash për ringjalljen shpirtërore dhe shtimin e pjesëmarrjes në Kishë. Disa janë të shqetësuar se detyra e mëparshme e Papa Benediktit të 16, për zbatimin e doktrinës së kishës do të pengojë dialogun mes Kishës Katolike dhe feve të tjera. Gjatë meshës Papa u zotua të vazhdojë dialogun. “Dua t’u siguroj të gjithëve se Papa i ri do të vazhdojë dialogun për të mirën e njeriut dhe shoqërisë.”

Shumë katolikë amerikanë besojnë se Papa duhet të jetë më i afruar edhe ndaj katolikëve më të moderuar, jo vetëm ndaj beismtarëve të feve të tjera.

XS
SM
MD
LG