Lidhje

Kosovë: PDK dhe Ora dalin nga parlamenti


Presidenca e Kosovës konfirmoi sot se nga nata e mbrëmshme, policia ka shtuar masat e sigurisë përreth ndërtesës ku edhe banon presidenti Ibrahim Rugova dhe familja e tij në një lagje të Prishtinës.

Zëdhënësi i presidentit, Muhamet Hamiti, i tha Zërit të Amerikës, se nuk mund të jepte shpjegime për arsyet e shtimit të masave te sigurisë.

Në një zhvillim tjetër, po sot, dy partitë kryesore të opozitës në Kosovë, Partia Demokratike e kryesuar nga Hashim Thaci dhe partia Ora e kryesuar nga Veton Surroi, braktisën sallën e parlamentit, pasi parlamenti me shumicë votash hodhi poshtë kërkesën e tyre për diskutimin e krijimit të një komisioni parlamentar për hetimin e disa anëtarëve të qeverisë, për të cilët opozita thotë se janë të përzier në krim të organizuar dhe korrupsion.

Opozita kërkoi që parlamenti të ndryshonte rendin e ditës dhe të diskutonte së pari për këtë cështje dhe më pas për procesin e decentralizimit dhe shkeljen e procedurave parlamentare nga kreu i parlamentit, por sipas votimit, 61 deputetë votuan kundër dhe vetëm 35 në favor të këtij rendi të ditës.

Kryetari i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike, grupi më i madh parlamentar në kuvend, ka thënë se këto cështje duhet të hetohen nga organet e drejtësisë, ndërsa kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Jakup Krasniqi, ka thënë se parlamenti e ka për detyrë që të punojë për ndricimin e të gjitha krimeve që kanë ndodhur në Kosovë.

Kryetari i partisë Ora Veton Surroi ka mbështetur kërkesat e Partisë Demokratike, dhe ka akuzuar kryetarin e parlamentit, Nexhat Daci, për shkelje të rëndë të procedurave parlamentare. Megjithatë, parlamenti i vazhdoi sot punimet sipas rendit të paraparë dhe po kështu, pritet të vazhdojë punën edhe nesër.

XS
SM
MD
LG