Lidhje

Sa ka ndryshuar Partia Demokratike dhe Sali Berisha?


Partia Demokratike fillon të shtunën kuvendin e saj, rreth 2 muaj para zgjedhjeve të përgjithshme. Deklaratat e bëra deri tani nga drejtuesit e partisë lënë të kuptohet se demokratët po shkojnë në këto zgjedhje të bindur se këtë herë do të arrijnë të rikthehen në pushtet. Në këtë kuadër kohët e fundit Partia Demokratike hodhi hapin e pazakontë për të afruar në parti disa nga figurat e njohura të fillimeve të pluralizmit në Shqipëri. Por analistët shprehen se një rol të madh në rezultatin e kësaj partie në zgjedhje, do të ketë e kaluara e saj, ose më saktë, aftësia e saj për të ndryshuar imazhin e së kaluarës.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, kuvendi i partisë po zhvillohet shumë pranë zgjedhjeve, kur ndryshime të mëdha në strukturat e partisë mund të sjellin çoroditje në parti. A nuk e kufizon kjo gjë demokracinë e brendshme dhe a pritet ndonjë ndryshim i rëndësishëm për Partinë Demokratike?

Sali Berisha: Unë mendoj se hapja nuk kufizon, por përkundrazi zgjeron shumë demokracinë e brendshme dhe mund të them se ky Kongres mblidhet me një agjendë tashmë të përcaktuar qartë: agjenda e këtij Kongresi është fitorja e shkëlqyer në zgjedhjet e ardhshme e Partisë Demokratike dhe e aleatëve të saj.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha vëzhgues të ndryshëm janë shprehur se pengesa kryesore që duhet të kapërcejë PD-ja sot, nuk janë socialistët, po vetë imazhi i kësaj partie, i kristalizuar tek figura e saj kryesore, Sali Berisha. Sa ka ndryshuar Sali Berisha si politikan gjatë viteve në opozitë?

Sali Berisha: Së pari mendoj se ky është një vëzhgim jo i bazuar, pasi janë shqiptarët ata, që katër vjet më parë votuan më shumë se këdo, logon e Partisë Demokratike dhe të Sali Berishës. Kjo natyrisht nuk nënkupton aspak mosndryshimin, e kundërta është e vërtetë, d.m.th., përpjekjet e mija për të ndjekur dhe për të qëndruar me kohën, kanë qënë dhe janë përpjekjet kryesore të jetës sime. Në këtë kontekst mendoj se në thelbin tim unë kam mbetur një njeri i përkushtuar ndaj qytetarëve. Natyrisht si parti politike, jemi përpjekur të realizojmë ndryshime të mëdha dhe thelbësore, sot kemi vërtetë një koleksion të madh vlerash nga shoqëria civile, nga bota akademike, ish themeluesit e saj. Unë mendoj se të gjitha këto janë elementë të ndryshimit tim, të partisë dhe në tërësi të faktorëve të tjerë.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha shumë analistë përpiqen t’i japin shpjegim pyetjes se si ka mundësi që pas gjithë peripecive të PD-së, gjatë gjithë uljeve e ngritjeve të saj, ju vazhdoni të jeni udhëheqësi i padiskutueshëm. Si e shpjegoni ju këtë gjendje në parti, kur për vite të tëra nuk keni patur ndonjë rival kryesor?

Sali Berisha: E vërteta është që kjo parti rivalë ka patur që në themelimin e saj. Garat e kësaj partie kanë qënë gara në tërësi me rivalë, përveçse kësaj të fundit që ndodhd pa një rival të përcaktuar, ndonëse unë kam qënë i hapur dhe mbetem tërësisht i hapur për rivalët e mi duke respektuar plotësisht hapësirën për ta. Ka dy arësye se përse unë jam sot prapë në krye të Partisë Demokratike. E para janë demokratët shqiptarë ata të cilët kanë vendosur në mënyrë të vazhdueshme votëbesimin tim. Sërish më duhet të them se në qoftë se personalizohet, dhe unë nuk e personalizoj votën që jepet për partinë, por po ta personalizoj, në zgjedhjet e vitit 2001 del më e votuara Partia Demokratike. Së dyti, është një “unfinished business”, një revolucion paqësor i papërfunduar. Do ta përfundojmë atë që nisëm. Për këtë jam shumë i bindur kësaj radhe.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, në kuadër të kësaj përpjekje, partia juaj dhe ju vetë, keni marrë hapin e pazakontë të afrimit të të larguarve nga PD-ja, gjë që është pritur me debate të shumta. Një pjesë thonë se kjo ishte forma juaj për të kërkuar ndjesë, për vitet që jeni akuzuar për një qeverisje autoritare, ka të tjerë që thonë se kjo është lojë politike për të fituar. Cili është komenti juaj?

Sali Berisha: Komenti im është, se nuk është as e para, as e dyta. Komenti është ky: ndaj këtyre personaliteteve, me të cilët ne themeluam opozitën shqiptare, Partinë Demokratike, mendoj se u larguam në një moment nga njeri tjetri, por nuk ishin reformat, nuk ishte kursi i reformave, parimet e reformave ato që na larguan nga njeri tjetri. Pra kundërshtira më tepër të natyrave të ndryshme, dhe ne sërish e gjejmë veten të bashkuar në kursin e reformave për të përfunduar ato reforma që janë jeitke për Shqipërinë, për rritjen e shpejtë ekonomike të saj, dalejn nga vafëria, vendosjen e shtetit ligjor dhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe në Nato. Kështu e konceptojë unë. Nuk mund të mohohet se ka një evolucion dhe një rivlerësim, jo vetëm nga ana ime, por jam i sigurtë edhe nga ana e ish bashkëpunëtorëve të mi, që rikthehen në analizën e të gjitha zhvillimeve gjatë këtyre viteve.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha afrimi i këtyre personave të larguar nga partia duket se mund të ndikojë në identitetin e Partisë Demokratike. Është thënë shumë herë se Programi i Partisë Demokratike me programin e Partisë Socialiste nuk kanë ndryshime të mëdha. Sa do e dëmtojë afrimi i këtyre figurave, që në se ndihmon nga njera anë, mund të dëmtojë nga ana tjetër, pra sa do e dëmtojë kjo identitetin e partisë? Ka partia juaj identitet sot?

Sali Berisha: Partia jonë ka një identitet të plotë dhe po të flitet për identitet, në fakt është e majta ajo që ka humbur identitetin sipas të gjithë analistëve të majtë. Por dua të them se dallimi më esencial midis Partisë Demokratike dhe këtyre qeveritarëve që janë sot, është qëndrimi ndaj reformave. Partia Demokratike e angazhoi vendin gjatë periudhës së qeverisjes së saj në reformat më të thella që vendi ka njohur në tërë historinë e vet. Natyrisht kriza financiare i ndërpreru reformat. Kurse këta qeveritarë të sotëm, mund të etiketohen më shumë se çdo gjë tjetër, si bllokues, ngadalësues ose autorë të reformave “à la carte”. Do të më falni, por në rast se në Shqipëri sot shteti ligjor është 0,17 kundrejt 0,43 që ka qënë në 1996, në rast se treguesi i korrupsionit është 68 kundrejt 24 që ka qënë në 1996, kjo tregon se reformat ose janë ngadalësuar, ose janë ndaluar.

XS
SM
MD
LG