Lidhje

Kongresi i Partisë Demokratike miraton programin e fushatës zgjedhore


Partia Demokratike filloi sot në mbrëmje Kongresin e saj ku shpalosi platformën për fushatën zgjedhore. Delegatët e ardhur nga të gjitha degët e PD në rrethe po ndjekin fjalimet e drejtuesve kryesorë, tezat dhe parrullat që do të përdoren për zgjedhjet e verës.

Kryetari i PD, Sali Berisha ka deklaruar se hapja e PD ndaj shoqërisë civile dhe shkencëtarëve të fushave të ndryshme është një nga tiparet kryesore të PD, që besohet se do të ndikojë edhe në rezultatet e votimeve. Kongresi do të diskutojë edhe ndryshime jo të pakta në statutin e partisë, ku spikat përfshirja në strukturat drejtuese të saj e Komitetit të Orientimit të Politikave. Kjo njësi, e ngritur pak kohë më parë, përfshiu një numër të madh specialistësh nga të gjitha fushat, të cilët po shpalosin platforma për ndryshime dhe zhvillim në shumë sektorë.

Kongresi do të votojë edhe për të zgjedhur kryetarin e partisë, temë për të cilën nuk ka asnjë surprizë, për shkak të rikandidimit pa asnjë rival të z.Sali Berisha për këtë post. Madje ndryshimet në statutin e partisë, parashikojnë që mandati i kryetarit të zgjatet nga 3 - 4 vjet. Kongresi do të shqyrtojë ndryshime të rëndësishme organizative dhe politike të partisë.

Një tjetër risi e këtij kongresi dhe e PD në prag të zgjedhjeve është fakti që ndër anëtarët e saj janë rikthyer dhe po kandidojnë një numër i madh ish themeluesish të saj, të cilët u shkëputën në kohë të ndryshme, në rrethana të tensionuara. Pasi u anatemuan për vite me rradhë, palët dhe grupet e PD duket se e kanë gjetur tashmë paqen me parrullën e fushatës “Koha për ndryshim”, në interes të fitores përballë socialistëve, të cilët janë duke konsumuar javët e fundit të mandatit të tyre të plotë në pushtet. PS nga ana e saj u detyrua ta shtynte edhe pak ditë, deri në 5 maj kongresin e saj elektoral.

Në kongresin e tyre, socialistët nuk do të votojnë për kryetarin, por ai do të jetë stacioni më i rëndësishëm përgatitor për zgjedhjet. Kryetari i PS, Fatos Nano, e ka publikuar tashmë edhe kandidimin e tij në qytetin e Sarandës, së bashku me parrullën kryesore të fushatës socialiste: “Mbro të ardhmen”. Përvec dyshimeve që po shprehin analistët lidhur me burimin e financave të partive për fushata luksoze dhe mungesës së transparencës për to, një tjetër element i vecantë në zgjedhjet e sivjetme, është edhe fakti që partitë kryesore politike po i publikojnë emrat e kandidatëve për deputet pa i miratuar në kongreset e tyre, gjë që sipas vëzhguesve tregon formalizmin e punës me organet drejtuese të partisë dhe peshën e madhe që ka në jetën e partive vendimet personale të drejtuesve të tyre.

XS
SM
MD
LG