Lidhje

Ushtria amerikane në Irak arrestoi gjashtë persona të dyshuar si përgjegjës për rrëzimin e një helikopteri


Ushtria amerikane në Irak tha se ka arrestuar gjashtë persona të dyshuar si përgjegjës për rrëzimin e një helikopteri në fillim të javës që rezultoi në vdekjen e 11 të huajve.

Zyrtarët thanë se dëshmia e një civili çoi në arrestimin e tyre gjatë kontrollit natën në dy shtëpi. U konfiskuan gjithashtu materiale për ndërtimin e bombave. Zyrtarët ushtarakë nuk thanë se ku ndodheshin shtëpitë apo cilat ishin kombësinë e të dyshuarve. Helikopteri civil u qëllua rreth 20 kilometra në veri të Bagdatit të enjten. Dy grupe ekstremiste kanë marrë përgjegjësinë për sulmin dhe publikuan pamje filmike të sulmit.

Ndërkohë dy shpërthime me makina bombë sot në Bagdat vranë 9 ushtarë irakianë dhe një civil. Më shumë se 30 të tjerë u plagosën përfshi tre ushtarë amerikanë. Ndërkohë, në jug pranë Basrës, një makinë shpërtheu, duke shkaktuar vdekjen e dy pasagjerëve dhe plagosjen e dy irakianëve. Nuk dihet ende nëse bomba ishte në makinë.

Presidenti Bush thotë se forcat irakiane të sigurisë janë më të shumta në numër sesa trupat amerikane në vend, për të parën herë që para dy vjetësh kur filloi lufta.

Presidenti Bush thotë se forcat irakiane të sigurisë po bëhen më të pavarura dhe po marrin më shumë përgjegjësi për stabilitetin e vendit të tyre. “Aktualisht mbi 150 mijë forca irakiane të sigurisë janë të stërvitura dhe të pajisura dhe për herë të parë forcat irakiane të ushtrisë, policisë dhe sigurisë janë më të shumta në numër se forcat amerikane në Irak. Ashtu si të gjithë popujt e lirë kudo në botë, irakianët duan të mbrohen dhe udhëhiqen nga bashkëkombasit e tyre. Ne do t’i ndihmojmë ata ta realizojnë këtë objektiv dhe pas kësaj trupat tona do të kthehen këtu me nderimet që i kanë merituar”.

Mbi 1 mijë e 500 amerikanë kanë humbur jetën në Irak. Në mënyrë që sa më shumë trupa amerikane të kthehen në vendin e tyre, duhet që të stërviten deri në 270 mijë forca irakiane sigurie që të jenë në gjendje të luftojnë kryengritësit dhe të mbrojnë qeverinë e re.

Në fjalimin e tij të përjavshëm, presidenti i kërkoi Kongresit të zgjidhë mosmarrëveshjet mbi financimet shtesë për trupat amerikane në Afganistan dhe Irak. Ai thotë se këto trupa po mbrojnë amerikanët nga ata që ai i cilësoi armiq të betuar, si edhe po transformojnë vende që siç u shpreh presidenti, deri së fundmi njihnin vetëm tiraninë dhe dëshpërimin. “Në Afganistan, miliona njerëz votuan, pasi ne dhamë ndihmën tonë që ai vend të çlirohej nga Talebanët. Në Irak, sakrificat e forcave tona të ushtrisë po ndihmojnë irakianët që të ngrenë një qeveri që t’i shërbejë popullit dhe jo anasjelltas”.

Presidenti Bush thotë se përkrah luftës kundër terrorizmit jashtë vendit, ai po ndjek politika për rritjen ekonomike brenda Shteteve të Bashkuara. Ai kërkon që Kongresi të eliminojë, ose të shkurtojë në mënyrë të konsiderueshme mbi 150 programe federale dhe të ruajë shpenzimet e buxhetit nën nivelin e rritjes që parashikohet të përsojë inflacioni.

Dhoma e Përfaqësuesve miratoi këtë javë një nga përparësitë kryesore ekonomike të presidentit, një paketë për energjinë që konsolidon kërkimet për burime në vend. Është e pesta herë gjatë katër viteve të fundit që Dhoma e Përfaqësuesve miraton planin e presidentit për energjinë. Të katër herët e mëparshme, ky plan u bllokua në senat Anëtarët demokratë të Kongresit thonë se një plan i tillë e rrit varësinë e Amerikës tek burimet e huaja të naftës, pasi nuk i rrit standardet e efektivitetit të karburantit për automjetet amerikane.

Anëtari demokrat i Kongresit nga Massachussets Edward Markey thotë se plani nuk bën aq sa duhet për të nxitur përdorimin e burimeve alternative të energjisë, ndërsa nga ana tjetër lehtëson me 12 miliardë dollarë taksat dhe subvencionet për prodhuesit e naftës, gazit natyror, energjisë bërthamore dhe qymyrit. “Sot përballë sfidave të çmimeve në rritje të naftës dhe rritjes së varësisë tek nafta e OPEC-ut, Presidenti Bush e pranon se paketa e tij e energjisë as nuk do të fillojë të ulë çmimet e gazolinës. Përkundrazi, të hënën në fermën e tij në Teksas, presidenti Bush do të presë udhëheqësin e kartelit botëror të naftës, Princin Abdullah të Arabisë Saudite për të kërkuar ndihmë për uljen e çmimeve të gazit. Presidenti ka të drejtë që takohet me këtë udhëheqës të fuqishëm, por nuk është e drejtë që udhëheqësi i Shteteve të Bashkuara t’i kërkojë favore një princi të huaj”.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se Presidenti Bush dhe Princi Trashëgimtar Abdullah do të diskutojë të hënën në Teksas për çmimet botërore të naftës dhe një qeveri të re në Irak.

XS
SM
MD
LG