Lidhje

Teleskopi Habëll mbush 15 vjet në orbitë


Teleskopi hapsinor Hubble konsiderohet një nga instrumentetmë interesante të astronomisë. Ndërsa teleskopi mbush 15-vjetorin në orbitë, korrespondenti ynë, Jim Bertel, njofton se e ardhmja e tij është e pasigurtë.

Para 15 vjetësh, agjencia Amerikane e Hapësirës, Nasa, hapi siparin e një epoke të re në astronomi. Pas kapërcimit të problemeve të fillimit, teleskopi hapësinor Hubble ka ndryshuar mënyrën se si njeriu e vëzhgon universin. "Është gati e pamundur të hapësh një libër astronomie që të mos jetë i mbushur me imazhe e zbulime përmes teleskopit Hubble,” thotë David Leckrone. Ai drejton grupin e shkencëtarëve që kontrollojnë veprimtarinë e teleskopit që nga fillimi i programit. Ai thotë se shumë nga zbulimet më të mëdha të bëra përmes tij, kanë qenë krejt të papritura. "Hubble u përgjigjet pyetjeve që as dinim t’i shtronim para lëshimit të tij”.

Me kalimin e viteve, rrjedhja e pandërprerë e zbulimeve nga Hubble dhe imazhet spektakulare janë bërë të mundura nga vizitat e rregullta të astronautëve për ndreqeje defektesh dhe përmirësime të instrumenteve. Nëse nuk i bëhet tjetër shërbim, në vitin 2007 pjesët mekanike pritet të bëhen të papërdorshme nga konsumimi. Pas humbjes së anijes Columbia në vitin 2003, një udhëtim i fundit drejt teleskopit për t’i zgjatur jetën, është anulluar. Astronomët, publiku dhe Kongresi kanë argumentuar me forcë se teleskopi duhet shpëtuar.

Me kërkesën e Kongresit, Këshilli i Akademive Kombëtare për Kërkimet bëri një rishkim të pavarur të dy alterantivave për remont: rifillimin e fluturimeve me njerëz apo misionet me robotë. “Komisioni arriti me keqardhje në përfundimin se remonti nuk është një alternativë e leverdisshme duke pasur parasysh jetëgjatësinë e kufizuar që i mbetet teleskopit,” thotë Sandra Graham, drejtoreshë e Komisionit Studimor.

Ky komision i përbërë nga studiues, inxhinierë dhe astronautë arriti në përfundimin se një mision me anije hapsinore ishte alternativa më e mirë: “Shkalla e rrezikut, apo ndryshimi i rrezikut ndërmjet udhëtimit për në Teleskopin Hubble dhe atij në stacionin Hapësinor, duke patur parasysh edhe mundësitë që ai ofron si bazë, është tepër e vogël,” thotë shkencëtarja Graham.

Me emërimin e administratorit të ri të Nasës, Michael Griffin, po shtohen shpresat për një mision për remontin e teleskopit. Ai premton të rishqyrtojë vendimin e paraardhësit të tij për heqjen dorë nga misionet me ekupipazh. “Menjëherë pas lëshimit të parë do t’i bëjmë një rishikim argumentave pro dhe kundër një misioni remonti,” thotë zoti Grifin. Ai e ka përjashtuar mundësinë e një misioni shërbimi me robot si të paefektshëm.

Edhe nëse merret vendim për të mos udhëtuar drejt Hubble-it, Sandra Graham, thotë se do të zhvillohet të paktën edhe një mision tjetër, por me robotë, për ta nxjerrë Hubble-in nga orbita që të bjerë diku në oqean. "Do të bjerë diku dhe madje me forcë. Dhe nëse duam të garantojmë që të bjerë në oqean e jo në Paris a New York, është i nevojshëm një mison për nxjerrjen e tij nga orbita”.

Pavarësisht nga fati i teleskopit, drejtuesi i projektit Hubble, David Leckrone beson se vendi i teleskopit në histori është i garantuar. Edhe pas një shekulli njerëzit do të flasin për arritjet e Hubble-it.

XS
SM
MD
LG