Lidhje

Autoritetet italiane nuk pranojnë përfundimet e një hetimi për vrasjen e një oficeri të zbulimit në Bagdad


Mesa duket autoritetet italiane nuk janë të gatshme të pranojnë përfundimet e një hetimi për vrasjen e një oficeri italian të zbulimit në Bagdad nga forcat amerikane në një postbllok. Një zyrtar amerikan i mbrojtjes ka thënë se sipas raportit, ushtria amerikane nuk ka asnjë përgjegjësi.

Italia e priti me indinjatë lajmin nga Washingtoni se në raportin për vrasjen e një oficeri italian të zbulimit, ushtria amerikane çlirohet nga çdo lloj përgjegjësie. Një zyrtar amerikan i mbrojtjes tha se sipas përfundimeve të raportit, ushtarët në përgjithësi ndoqën rregullat, por italianët mendojnë ndryshe dhe nuk është ende e qartë nëse ata do të japin miratimin e tyre për raportin. Incidenti ndodhi më 4 mars, kur oficeri i zbulimit Nicola Calipari shkoi në Bagdad për të liruar një grua italiane që ishte rrëmbyer nga pengmarrës irakianë që prej një muaji. Zoti Calipari po shkonte me makinë në aeroport pasi kishte liruar gruan e rrëmbyer, kur trupat amerikane hapën zjarr ndaj makinës, duke shkaktuar vdekjen e tij dhe plagosjen e gruas dhe shoferit.

Që në orët e para pas incidentit, Roma dhe Washingtoni kanë mbajtur qëndrime të ndryshme për arsyet e vrasjes. Ushtria amerikane vazhdimisht ka përsëritur se ushtarët i kishin dërguar sinjale makinës që të ndalonte, para se të hapnin zjarr. Por italianët thonë se kjo nuk është e vërtetë. Giuliana Sgrena, gruaja që ishte mbajtur peng, është e palëkundur në këtë qëndrim. “Amerikanët sulmuan makinën tonë pa paralajmërim, thotë ajo, megjithëse ishin lajmëruar për ardhjen tonë. Ne u goditëm nga ana e djathtë dhe nga mbrapa”. Zyrtarët amerikanë thonë se makina po ecte me shpejtësi të madhe. Italianët thonë se shpejtësia e tyre nuk i kalonte 50 kilometra në orë.

Zonja Sgrena duket shumë e indinjuar me përfundimet e hetimit. Ajo thotë se raporti ishte edhe më zhgënjyes, nga ç’kishte menduar ajo. Zonja Sgrena thotë se ushtria amerikane në fillim e pranoi se fjala ishte për një aksident. Por tani, thotë ajo, ata po e mohojnë edhe këtë. “Çfarë duan të fshehin amerikanët? Ajo thotë se nuk e ka të qartë nëse ata duan që të garantojnë mosndëshkimin e ushtarëve të tyre, apo ka ndonjë gjë tjetër? Nuk ka dyshim se raporti është një goditje ndaj italianëve që sigurisht nuk e pranojnë këtë përfundim”. Ajo bën thirrje për tërheqjen e trupave italiane nga Iraku.

Një avion ushtarak italian dërgoi sot në Romë makinën Toyota me të cilën po udhëtonte oficeri i zbulimit para se të vritej. Makina do të ekzaminohet nga ekspertët e balistikës, në përpjekje për të zbuluar se si u shkaktua incidenti i asaj nate. Që kur ndodhi ngjarja, Italia kishte kërkuar që të ekzaminonte makinën.

XS
SM
MD
LG