Lidhje

Suksesi i nje studenteje shqiptare në Amerikë


Qëndra për studimin e presidencës, nje organizatë jo qeveritare qe merret me historikun e institucionit të presidencës amerikane, është gjithashtu një shkollë praktike për dhjetra studentë të rinj. Kjo qëndër me seli në Uashington përzgjedh çdo vit 80 studentët më të mirë të shkencave politike në të gjithë Amerikën dhe u ofron atyre mundësi të punojnë si praktikantë për te zhvilluar më tej aftësitë e tyre. Mes këtyre studentëve të talentuar, ndodhet edhe shqiptarja 22 vjeçare Eliana Kaloshi.Suksesi i Elianës sot nuk mund të kuptohet plotësisht, pa njohur të kaluarën e saj, një e kaluar që për shume vetë mund të duket jo shumë e largët.

Në vitin 1997, Shqipëria u përfshi nga trazirat e shkaktuara nga falimentimi i skemave piramidale. Këto trazira, lanë pas jo vetem viktima e shkatërrime deri në themel, thotë Eliana, por edhe ëndra e dëshira të vrara. “Në vitin 1997, njerëz të panjohur të armatosur hynë në shtëpine tonë në Tiranë”, tregon Eliana, “duke na kërcënuar me vdekje nese nuk u paguanim një shumë të hollash.” Eliana thotë se atëherë një dritare në zemrën e saj u mbyll dhe perpara shihte vetëm një perspektivë të zymtë. Në vitin 1998, Kosova pësoi tragjedinë e saj të madhe kur, sipas shtypit të kohës, eksodi masiv mori përmasa biblike. Qindra mijëra prej këtyre të ikurve gjetën strehim në vatrat e vëllezërve të një gjaku në Shqipëri. “Në shtëpinë tonë”, thotë Eliana, “u pritën me bujari rreth 40 pjestarë të një familjeje, me fëmijë, burra, gra e pleq. Dhimbjet e këtyre njerëzve të përvuajtur, bënë që çdo hall tjetër të dukej i parëndësishëm. Kjo sikur ringjalli zemrën time”, thotë Eliana. Ndërsa ndihma historike e Shteteve të Bashkuara për popullin e vuajtur të Kosovës, i zgjoi asaj një dëshirë të zjarrtë që nuk do t'i shuhej derisa të bëhej realitet.

Në vitin 1999, Eliana Kaloshi atëherë 16 vjeç mori e vetme rrugën e vështirë të emigracionit dhe me ndihmën e një organizate kishtare vjen në Shtetet e Bashkuara. Në vitin 99 ajo merr diplomën e shkollës së mesme në shtetin Tenesi dhe fillon studimet në kolegjin Blakbërn në Karlinvill të shtetit Ilinoi. Për këtë vajzë të re fillimi nuk ishte i lehtë. Gjatë periudhës së studimeve, pasdite krahas përgatitjes së detyrave ajo bënte edhe punë të ndryshme, dhe të ardhurat i përdorte për financimin e studimeve. Pas përfundimit të kolegjit me nota të shkëlqyera, Eliana fitoi konkursin për pjesmarrjen në programin Fellowship dhe filloi praktikën në qëndrën për studimin e presidencës.

Dekani i programit Fellowship pranë qëndës për studimin e presidencës, Robert Henderson thotë: “Vitin e kaluar, Eljana Kaloshi erdhi tek ne si praktikante. Pas disa muajsh ajo u shqua për zellin dhe aftësitë e saj dhe ne vendosëm t'i ofrojme asaj një vend pune në qendrën tonë.Qendra për Studime te Presidencës, organizatë private jo qeveritare, zhvillon 2 herë në vit konferenca studimore në shkallë kombetare dhe Eliana me aftesitë e saj organizative është kyç për mbarëvajtjen dhe suksesin e takimeve te tilla.” Për zotin Henderson, Shqiperia është një vend, të cilin ai e ka njohur jo vetëm nëpërmjet librave. “Në Shqipëri kam qënë në vitin 1990, në prag të zgjedhjeve te para shumë partiake parlamentare, dhe m’u dha rasti të njoh një vend të mrekullueshëm, me sfida të vështira, por me një kapital njerëzor me vlera te paçmueshme që ne i shohim sot edhe tek Eliana.”

Eliana flet 4 gjuhe huaja, por Drejtori i qëndres për Studimin e Presidencës, David Abshire, befasohet kur dikush i thote se nepunesja e tij Eljana i ka hyre përpjekjeve për të mësuar edhe 4 gjuhë të tjera. Zoti Abshire ka qënë ambasador i Shteteve të Bashkuara në Nato, dhe këshilltar i shumë presidentëve republikanë. Ambasadori Abshire thotë se njerëzit punëtorë e të etur per dije si Eljana, nga Amerika mund të mësojnë shumë gjëra të mira, pasi ky vend ka një histori e përvojë të shumëanëshme, veçanërisht përsa i përket tolerancës fetare, debatit politik, e mirëkuptimit ndër etnik e kulturor. Ballkani, thote ambasador Abshire, është një rajon me rëndësi të madhe në Botë. Pas shuarjes së trazirave atje tani vemendja është zhvendosur në Irak e në Lindjen e Mesme. Shenjat tregojnë se Ballkani po shkon drejt përmirësimeve. “Unë ndjehem krenar që Eliana vjen nga një rajon i tillë. Me punën dhe aftësitë e saj, ajo përbën një shembull të shkëlqyer për qendrën tonë, duke treguar se çfarë mund të arrihet me një talent të tillë”, thotë ambasador David Abshire për këtë vajzë shqiptare.

XS
SM
MD
LG