Një tren i linjës hekurudhore nderkombëtare Podgoricë-Shkodër doli të martën nga shinat në afërsi të Shkodrës, në vendin e quajtur Stom-Golem.
Treni po tërhiqte 12 vagonë çisternë, të ngarkuar me më shumë se 400 ton gaz të lëngshëm që kishte hyrë në Shqiperi nga Kroacia.
Katër prej vagonëve u përmbysën. Autoritetet po marrin masa për të evakuuar banorët e zonës përreth vendit të ngjarjes, pasi nga vagonët e përmbysur ka patur rrjedhje të gazit.
Punonjësit e hekurudhës arritën të shkëpusin 6 prej vagonëve të ngarkuar me gaz të lëngshëm duke i larguar nga vendi i ngjarjes. Ndërkohë po punohet për shkarkimin e gazit të lëngshëm nga vagonët e përmbysur dhe transportimin e tyre me anën e kamionëve çisternë. Operacioni për largimin e gazit të lëngshëm paraqet rezikshmëri sepse çdo gabim mund të shkaktojë shpërthimin e vagonëve çisternë.
Nga drejtoria e përgjithshme e hekurudhave shqiptare janë dërguar në vendin e ngjarjes ekspertë të cilët po bëjnë hetime për të përcaktuar shkaqet e incidentit. Sipas autoriteteve, nga aksidenti nuk pati viktima në njerëz.