Lidhje

Çmimet botërore të naftës bien


Çmimet botërore të naftës pësuan sot rënie pas botimit të raporteve qeveritare dhe private, të cilat tregonin një shtim të rezervave të naftës bruto në Shtetet e Bashkuara. Raportet i zbutën shqetësimet e tregut për mungesa në rezervat e naftës.

Shërbimi i informacioneve financiare, Bloomberg njoftoi se çmimi i lëvrimeve të naftës bruto për muajin qershor ra në 52 dollarë e 25 cent për fuçi në bursën e Nju Jorkut. Kjo shënon një rënie prej më shumë se 2 dollarësh.

Departamenti amerikan i Energjisë njofton se javën e kaluar, rezervat amerikane të naftës bruto u rritën në masën prej më shumë se 5 milion fuçi, duke arritur në mëse 324 milion fuçi. Agjencia franceze e lajmeve njofton se të dhënat e publikuara nga një grup biznesi tregojnë shifra të ngjashme.

XS
SM
MD
LG