Lidhje

Airbus A380 kalon me sukses provën e parë të fluturimit


Avioni më i madh i botës për pasagjerë, Airbus 380, përfundoi fluturimin e tij të parë të provës. Mijëra vetë ndoqën ngritjen e tij sot nga një aeroport pranë selisë së kompanisë Airbus në dalje të qytetit francez Tuluzë, dhe më pas zbritjen e tij pa probleme katër orë më pas.

Presidenti francez Zhak Shirak përshëndeti fluturimin e suksesshëm të avionit. Në një deklaratë, ai e cilësoi këtë ngjarje një rezultat të mrekullueshëm të bashkëpunimit industrial evropian, i cili nxit krijimin e një Evrope të përkushtuar ndaj novacioneve dhe përparimit. Në avion kishte një ekuipazh me gjashtë anëtarë dhe pajisje me peshë 20 tonë, që shërbenin për të mbikqyrur të dhënat gjatë fluturimit.

Avioni me katër motorë dhe katër kolona me sedilje është projektuar për të transportuar 555 pasagjerë, por ka vend për më shumë se 800 vetë. Kompania Airbus shpreson se avioni i ri i tipit 380 do të shërbejë për të tërhequr pasagjerët që deri tani preferonin konkurentin e kësaj kompanie, Boeingun amerikan.

Avioni Boing 747 ka qenë prej kohësh tipi dominues i avionëve të mëdhenj për transportin e pasagjerëve.

XS
SM
MD
LG