Lidhje

Presidenti Bush parashtron pikëpamjet për çmimet e naftës dhe pensionet


Presidenti George Bush dha të enjten një konferencë për shtyp ku parashtroi pikëpamjet e tij për dy prej çështjeve që kanë shqetësuar prej kohës amerikanët: çmimet e larta të benzinës dhe e adhmja e sistemit federal të pensioneve.

Fushata 2 mujore e presidentit për të siguruar mbështetje për reformimin e Sigurimeve Shoqërore, emri me të cilin njihet sistemi i pensioneve federale nuk është pritur me entuziazëm. Presidenti shfrytëzoi rastin e djeshëm për të bërë edhe një herë thirrje për ndryshimin e tij.

“Sistemi është i rëndësishëm për shumë njerëz. Ai ka qënë një rrjet shpëtimi për miliona amerikanë në pension që të jetojnë me dinjitet dhe qetësi mendore. Megjithatë ky sistem ka probleme.”

Debati për Sigurimet Shoqërore do të kalojë së shpejti në Kongres, ku tashmë ka filluar puna për një propozim tjetër të presidentit: atë të sektorit energjitik. Presidenti u bëri thirrje ligjvenësve të lënë mënjanë politikën, pasi amerikanët kanë pritur tashmë gjatë për ndryshime.

Seanca e pyetjeve më pas e zhvendosi vëmendjen tek politika e jashtme, me disa pyetje për dhunën në Irak. Presidenti tha se ka ende një pakicë në Irak që nuk e pranon demokracinë. Por ai shtoi se përparimi i bërë po u krijon mundësi irakianëve të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre, duke thënë se gjeneralët amerikanë janë optimistë për stërvitjen dhe rekrutimin e irakianëve.

“Rekrutimet janë shtuar. Njerëzit duan të shërbejnë. Ata duan që vendi i tyre të jetë i lirë.”

Presidenti u pyet më pas se a është dëmtuar aftësia e Amerikës për t’iu përgjigjur krizave të tjera si në Korenë e Veriut, për shkak të numrit të madh të trupave që ka që Irak. Presidenti tha se drejtuesit e ushtrisë e kanë siguruar se forcat e tanishme ushtarake janë të mjaftueshme. Dhe më pasi ai foli për rëndësinë e vazhdimit të diplomacisë me Phenianin.

Presidenti Bush tha se udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Il është një njeri i rrezikshëm dhe shtoi se është jetike që 5 vendet që filluan bisedimet me Phenianin për programin bërthamor të flasin me një zë. Ai tha se diplomacia me konsensus është rruga më e mirë.

“Sa më shumë të kërcënojë Kim Jong Ili aq më i izoluar do të mbetet.”

Për problemet e tjera, Presidenti shprehu mbështetje për kandidaturën e John Boltonit si ambasador në OKB.

Presidenti tha se në luftën kundër terrorizmit është bërë përparim, ndonëse raporti i fundit i qeverisë amerikane tregon për një shtim të aktiviteteve terroriste vitin e kaluar.

Po ashtu ai la të kuptohet se është i kënaqur me qëndrimin e Rusisë përsa i përket ndërtimit të një centrali bërthamor në Iran. Plani i Moskës për centralin ka qënë burim mosmarrëveshjesh midis Uashingtonit dhe Moskës. Por Presidenti tha se Rusia ka premtuar ta marrë mbrapsht gjithë uraniumin e pasuruar që do të dërgojë për projektin, gjë që tregon se Moska po i merr parasysh shqetësimet ndërkombëtare për ambiciet bërthamore të Teheranit.

Pjesa kryesore e konferencës së mbrëmshme të shtypit iu kushtua problemeve të brendshme. Konferenca të tilla zyrtare shtypi, që transmetohen drejtepërdrejte në orët më të ndjekura të televizioznit, kanë qenë të ralla për presidentin Bush. Ajo e së enjtes ishte e katërta gjatë gjithë presidencës së tij.

XS
SM
MD
LG