Lidhje

Fillon takimi për shqyrtimin e Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore


Përfaqësues nga rreth 190 vende fillojnë sot në New York takimin një mujor për rishikimin e Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore, mes shqetësimeve për synimet bërthamore të Iranit dhe Koresë së Veriut.

Uashingtoni kërkon që shqyrtimi i traktatit, që bëhet çdo 5 vjet, të përqendrohet në veprimtaritë e dyshimta të Iranit dhe Koresë së Veriut. Por disa vende ankohen se Shtetet e Bashkuara dhe fuqi të tjera të mëdha nuk kanë vepruar me shpejtësinë e duhur për çarmatimin dhe duan që kjo çështje të jetë në krye të rendit të ditës. Në mbështetje të këtyre shqetësimeve, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, thotë se besimi në traktatin 35-vjeçar është duke humbur.

Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore është nënshkruar nga 187 vende. Ai i ndalon vendet pa armë bërthamore që të marrin armë të tilla dhe në bazë të dispozitave të tij pesë fuqitë botërore me armë bërthamore, Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Franca, Rusia dhe Kina, zotohen se do të pakësojnë arsenalet e tyre bërthamore dhe të armëve.

Izraeli, India dhe Pakistani nuk kanë nënshkruar këtë traktat. Irani thotë tani se mund të fillojë programet bërthamore që ka pranuar t’i pezullojë gjatë negoziatave me Bashkimin Evropian. Ndërsa Korea e Veriut, që u tërhoq nga traktati në vitin 2003, deklaroi kohët e fundit se zotëron armë bërthamore.

XS
SM
MD
LG