Lidhje

Ndikimi i imigracionit në ekonominë amerikane


Imigracioni është mes çështjeve më të debatueshme politike në Shtetet e Bashkuara. Disa e shohin si një shpëtimtar të ekonomisë amerikane, por të tjerë e shohin si një barrë sociale dhe ekonomike. Në këtë pjesë të një seriali mbi imigracionin, i hedhim një vështrim ndikimit të imigracionit në ekonominë amerikane.

Klima e butë në stinën e vjeshtës në shtetin e Arizonës është ideale për rritjen e perimeve që mbushin tavolinat e amerikanëve për darkë. Duke punuar në kushtet e vështira nën diellin e Arizonës, punonjësit e bujqësisë shkojnë e vijnë nëpër rreshtat e mbjella me perime për stinën e dimrit, duke u bërë atyre shërbimet e nevojshme. Sipas Departamentit të Punës, të paktën gjysma e rreth dy milionë punonjësve të bujqësisë në Shtetet e Bahskuara janë pa dokumente të ligjshme.

Dan Griswold, Drejtor i Qendrës për Studimin e Politikave Tregëtare, në Insitutin Kato, një organizatë studimore në Washington që mbron politikat e tregut të lirë, thotë se këta individë kryejnë ato lloj punësh që pak amerikanë duan t’i kryejnë. “Imigrantët kanë prirjen të shkojnë në ato segmente të tregut të punës, ku ka më tepër kërkesë për krahë pune dhe ku vihet re një mungesë. Imigrantët e pakualifikuar që vijnë në Shtetet e Bashkuara kryejnë punë për të cilat shumica e amerikanëve nuk janë të interesuar: në bujqësi në mesin e diellit të përvëlues, si pastrues, në ndërtim, apo punë të tjera të kësaj natyre,” thotë zoti Griswold.

Ekonomistët thonë se vala e emigrantëve i siguron ekonomisë amerikane një krah pune më elastik, që i mban industritë në një rritje të vazhdueshme, duke u ofruar çmime më të ulëta konsumatorëve.

Rëndësia e punës së imigrantëve në ekonominë amerikane u theksua në fillim të vitit, kur Presidenti Bush shfrytëzoi fjalimin e tij drejtuar kombit me rastin e përurimit për të përvijuar një program për punonjësit me viza pune, i cili do t’i jepte leje të përkohëshme pune atyre që ndodhen në Shtetet e Bashkuara, pa dokumente të ligjshme. Por, kjo ka një kosto, thotë profesori i Universitetit të Marylandit Jim Gimpel. “Në fakt, janë punonjësit amerikanë të këtyre sektorëve, që largohen nga këto vende pune, ngaqë nuk duan të punojnë me paga kaq të ulëta,” thotë profesori Gimpel.

Një komision i Kongresit lidhur me Reformën e Imigracionit, me pjesëmarrjen e ligjvënësve të dy partive, arriti në përfundimin se ndërsa ekonomia amerikane në tërësi fiton nga imigracioni, ata që humbasin janë punonjësit amerikanë më pak të kualifikuar, të cilët nuk kanë arësimin e mesëm. Ata detyrohen të konkurojnë për vende pune krahas me imigrantët, pagat e të cilëve, si rezultat bien. Imigracioni në shkallë të gjerë, veçanërisht ai i paligjshëm, njëkohësisht, imponon një kosto afat-shkurtër mbi qeveritë lokale dhe ato shtetërore, që sigurojnë fonde për arsimin, shërbimin shëndetësor dhe shërbime të tjera sociale për imigrantët.

Studjuesi John Wahala, i Qendrës Studimore për Imigracionin, një grup me bazë në Washington, që është përkrahës i politikave më të forta të imigracionit, thotë se këto kosto afat-shkurtëra, janë më të larta, pikërisht ngaqë shumica e punonjësve pa dokumente të ligjshme mbeten me punë të papapaguara mirë. “Emigrantit nga Meksika i mungon arësimi i mesëm. Në fakt, të paktën tre të katërtat e tyre nuk e kanë arsimin e mesëm, prandaj kjo bëhet shumë e vështirë për ta. Ata ngecin në vende pune që nuk paguhen mirë; kjo është edhe arsyeja që nuk paguajnë shumë taksa, prandaj, ashtu sikurse cilido mund të shfrytëzonte shërbimet qeveritare, kontributi i tyre nuk është i mjaftueshëm për të kompensuar përfitimet e tyre,” thotë studiuesi.

Ndikimi i emigrantëve tek programet qeveritare të pensionit dhe ato mjeksëore, është një tjetër pikë debatesh. Përkrahësit e politikave pro-emigracionit thonë se punonjësit emigrantë vijnë në Shtetet e Bashkuara në kulmin e moshës së tyre për punë dhe se ata do ta paguajë për sistemin e pensionit për dekada me radhë. Pastaj, për arësye të ndryshme, shumë prej tyre nuk i marrin dot kurrë pensionet, pra kjo bën që sistemi i pensioneve të nxjerrë përfitime prej tyre. Por profesor Jim Gimpel, paralajmëron se kjo nuk është dhe aq e thjeshtë. Ai thotë se duhet ekuilibruar pagat që marrin imigrantët përkundrejt kostos të përfitimeve qeveritare. “Prandaj, ju duhet të mendoni për këtë si një shkëmbim, apo si një ballancim; dhe përgjigja është po, ata mund të paguajnë për sistemin e pensioneve, por a i konsumojnë ata shërbimet e shëndetit publik? A e mbingarkojnë ata transportin lokal, ngaqë u duhet të bëjnë rrugë të gjatë për të shkuar në punë?” thotë profesori.

Në vitin 1997, Këshilli Kombëtar i Kërkimeve publikoi atë që shihet përgjithësisht si një studim gjysmë-përfundimtar mbi ndikimin e imigracionit në ekonominë në tërësi. Kjo citohet shpesh nga të dyja palët në debatin për imigracionin. Këshilli arriti në përfundimin se imigracioni i krijon një përfitim pozitiv ekonomisë amerikane me një vlerë prej 10 miliardë dollarësh. Por raporti theksoi, se po të kihet parasysh ekonomia e madhe amerikane prej 10 trilionë dollarësh, përfitimi është relativisht i vogël. Në fund të fundit, debati për imigracionin do të përcaktohet nga më tepër faktorë se faktorët ekonomikë.

XS
SM
MD
LG