Lidhje

Imigracioni në SHBA, në të kaluarën, të sotmen dhe të ardhmen


Nga kohërat koloniale deri në ditët e sotme, imigrantët i kanë dhënë formë dhe forcuar Shtetet e Bashkuara por disa herë kanë qënë objekt mosmarrëveshjesh dhe konfliktesh. Deri para disa dekadash, shumica e atyre që vendosën të udhëtonin drejt Shteteve të Bashkuara ishin nga Evropa. Ndërsa shumica e emigrantëve të sotëm janë nga Amerika Latine ose Azia. Por ngado që vijnë të ardhurit e rinj, arësyet që i detyrojnë ata të fillojnë një jetë të re në Shtetet e Bashkuara mbeten të njëjta.

Në fund të viteve ’90, lufta civile në Sierra Leone, shpërnguli dhjetra mijëra njerëz. Mes tyre ishte edhe Mariam Jalloh. Ja si e kujton ajo takimin e parë me kryengritësit.

"Ata hynë në shkollë me forcë. Morën shumë nxënës me vete. Shoqja ime e ngushtë u vra para syve të mi."

Kryengritësit i vranë asaj të atin dhe një vëlla, i dogjën shtëpinë dhe e morrën Mariamin me vete. Ajo u shpëtua nga trupat afrikane që ndërhynë në Sierra Leone. Më pas ajo u largua në Guine, prej andej në Kanada dhe sot ajo ndjek shkollën në Uashington pas fitimit të azilit në Amerikë.

Po në Uashington, një bolivian që presantohet me emrin Roberto, ka një histori tjetër. Ai është një prej shumë emigrantëve të paligjshëm që pret për punë ditore në një pikë të caktuar.

"Erdha ashtu siç vijnë shumë emigrantë këtu: për një jetë më të mirë, për të ndihmuar familjen. Në vendin tim kam dy vajza. Nuk mund të siguroja të ardhura për to në vendin tim. Prandaj erdha këtu."

Roberto nuk e ka parë gruan dhe fëmijët për gati 5 vjet. Por ai u dërgon para çdo muaj dhe shpreson një ditë ata do të bashkohen me të në Amerikë. Profesori i historisë në Universitetin Amerikan Alan Kraut thotë se historitë e Marimait dhe Robertos janë të ngjashme me ato të miliona emigrantëve të tjerë.

"Emigrantët e sotëm qofshin nga Amerika Latine apo Azia juglindore, kanë shumë gjera të përbashkëta me ata të ardhur nga Italia, Polonia, Rusia, Irlanda e vende të tjera në të kaluarën. Ata vijnë për arësye ekonomike ose për t’i shpëtuar përndjekjes në vendet e tyre."

Historiani Alan Kraut e krahason përvojën e emigrantëve të sotëm latinas, me ato të grupeve të tjera: katolikëve të varfër irlandezë që erdhën në numër të madh në mes të viteve 1800, para se të ekzistonte koncepti i vizave dhe që u duhej të luftonin si për pozitë ekonomike ashtu edhe për t’u pranuar nga shoqëria. Por megjithëse Amerika është vend imigrantësh, të ardhurit e rinj nuk pranohen kudo me krahë hapur.

"Ka një shprehje të vjetër emigrantësh: ‘Amerika edhe të thërret, dhe nuk të pranon’. Tranzicioni nuk është gjithmonë i lehtë. Në Amerikë ka vërtetë mundësi, por po ashtu paguhet edhe një kosto. Amerikanët nuk janë përherë të kënaqur me ata që kalojnë kufirin."

Imigrantët janë akuzuar prej kohësh se po u marrin vendet e punës amerikanëve, shkaktojnë rënien e pagave dhe mbingarkojnë sistemet e ndihmave.Anketat e sotme tregojnë se shumë amerikanë mendojnë se ligjet e imigracionit dhe kufijtë e vendit nuk respektohen si duhet.

Por një gjë është e qartë: Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të tërheqin imigrantë. Numri i emigrantëve të rinj, të ligjshëm e të paligjshëm arrin në 1 presje 3 milionë në vit. Sot 35 milionë banorë, ose 12 përqind e popullsisë kanë lindur në vende të tjera. Kjo përbën një rritje të madhe nga 1970 kur shifra ishte 4,7 përqind, dhe pothuajse e barabartë me atë të vitit 1860 që ishte 13 përqind por më e vogël se 15 përqindëshi i vitit 1910, kur u regjistrua kulmi i ardhjes së emigrantëve italianë.

Si do të duket Amerika pas 50 vjetësh? Demografi Fred Hollman i Byrosë së Rregjistirmit të Popullsisë thotë se do të ketë një ndryshim historik.

"Popullsia e bardhë, jo-latinase, nuk do të përbëjë më shumicën. Në vitin 2050, sipas parashikimeve ky grup do të jetë nën 50 përqind. Latinsit do të shtohen, por nga ana tjetër ata do të integrohen si popullsi vendase, një pjesë e vogël e tyre do të mund të quhen imigrantë. Aziatikët po ashtu do të shtohen."

Emigracioni asnjëherë nuk është i lehtë për të ardhurit rishtazi dhe mund të jetë shpesh kaotik për shoqërinë. Por të gjithë janë dakort se imigracioni nxit dinamizmin dhe llojshmërinë dhe në tërësi i ka shërbyer Amerikës.

XS
SM
MD
LG