Lidhje

Imigracioni i paligjshëm në SHBA: Cilat janë shifrat reale?


Askush nuk e di me saktësi numrin e njerëzve që hyjnë në mënyrë të paligjshme çdo vit në Shtetet e Bashkuara, por studime të bazuara në byronë e statistikave dhe agjenci të tjera federale tregojnë se në Shtetet e Bashkuara jetojnë më shumë se 10 milionë emigrantë pa dokumenta. Rreth 3 milionë prej tyre mundë të kenë hyrë në vend gjatë 12 muajve të fundit. Shumica e imigrantëve futen përmes kufirit me Meksikën, dhe me pikë kryesore kufin me shtetin Arizona.

Numri i imigrantëve të paligjshëm që futen nga Meksika është rritur gradualisht vitet e fundit me gjithë përpjeket e rojeve amerikane të kufirit. Agjentët amerikanë thonë se për çdo imigrant që ata kapin ndoshta janë disa të tjerë që arrijnë të kalojnë. Megjithëse duket një vend pa jetë, shkretëtira është një ekosistem delikat që po kërcënohet nga imigrantët dhe trafikantët e drogës. Një person që e shikon këtë ndikim negativ është Kathy Billings, e Parkut Kombëtar Organ Pipe Kaktus.

"Ka shumë rajone që janë prishur nga shtigjet dhe vendpushimet e krijuara nga imigrantët. Ata lënë aty të gjitha mbeturinat. Janë krijuar shtigje kalimi nëpër tërë parkun nga veprimtari të paligjshme," thotë zonja Billings.

Kalimet nga Meksika gjithashtu kanë shkaktuar shtimin e krimit dhe vandalizmit në rezervatin indian, Tohono O'Odham, që ndodhet në kufi. Shefi i policisë së rezervatit, Richard Saunders, thotë se popullsia ndihet së tepërmi e fyer nga shkatërrimi i vendit që mbahet si i shenjtë nga indianët.

"Sapo të pastrosh një rajon, ka njerëz që kalojnë andej të nesermen, e që hedhin mbeturinat kudo. Kështu që kemi të bëjmë me përsëritjen e vazhdueshme të këtij fenomeni," thotë shefi i policisë.

Në përgjigje të këtyre shqetësimeve lokale dhe se terroristët mundë të kapërcejnë këtë zonë të kufirit, qindra vullnetarë civilë filluan në muajin prill të patrullojnë rripin kufitar prej 37 kilometrash. Ata përgjuan dhe raportuan veprimtari të paligjshme tek organet e kufirit, por shumë pak njerëz u munduan të kalonin kufirin ndërkohë që ata ishin atje. Vullnetarët e quajnë veten, Njerëzit e Minutës, emër i marrë nga një grup i krijuar shumë shpejt gjatë luftës revolucionare. Ata u përshëndentën nga shumë banorë vendas, përfshirë Dylan Cron, toka e të cilit është shkelur nga persona që thyejnë kufirin. "Këtu shkaktohena shumë probleme dhe vullnetarët po bëjnë atë që duhet. Unë i përshëndes ata," thotë zoti Cron.

Ndërkohë që vullentarët për ruajtjen e kufirit po kontrollonin, edhe vet ata po kontrolloheshin nga vullnetarë të Unionit Amerikan për Liritë Civile, si dhe policia federale meksikane nga ana tjetër e kufirit. Por nuk pati njoftime për incidete apo dhunë. Në qytetin e vjetër të minatorëve, Tombstone, botuesi i gazetës dhe organizatori i grupeve vullnetare, Chris Simcrox, e deklaroi nismën si sukses. "Kjo pasqyron shpirtin e qyetarëve amerikanë që kanë guximin dhe janë të gatshëm për të bërë atë që duhet në mbështetje të bindjeve të tyre,” thotë zoti Crox.

Por jo të gjithë amerikanët në kufi pajtohen me këtë. Jennifer Allen, drejtoresh ekzekutive e grupit pro imigracionit “Border Action Network”, thotë se me praninë e tyre vullnetarët i frikësuan hispanikët në atë rajon.

"Nëse po thyejnë ligjin apo jo, ata po e nxisin më tej histerinë dhe këtë ndjenjë kundër imigrantëve si dhe nocionin e gabuar se çfarë po ndodh dhe çfarë duhet të ndodhë në kufi," thotë zonja Allen.

Njerëzit kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme për të kërkuar punë që paguhet disa herë më shumë sesa në Meksikë apo vende të tjera të varfëra. Por barra i bie qeverive lokale dhe jo punëdhënësve për sa u përket shpenzimeve për shëndetin apo shërbimeve të tjera sociale, për personat që futen ilegalisht dhe familjet e tyre. Chris Simcox thotë se grupi që ai përfaqëson kërkon që qeveria të forcojë ligjet kundër marrjes në punë të imigrantëve të paligjshëm.

"Kërkojmë një përpjekje mbarëkombëtare nga baza. Ne duam të protestojmë ndaj çdo punëdhënësi që mundë të identifikohet se merr në punë imigrantë të paligjshëm," thotë zoti Simcox. Por Jennifer Allen thotë se kjo lloj rruge shpërfill realitetin ekonomik. "Ne kemi një pjesë të ekonomisë tonë që varet tërësisht nga puna e imigrantëve të paligjshëm. Zyra e guvernatorit të Arizonës u detyrua t’i kërkonte rojes së kufirit që të linte disa pika të lira pasi nuk kishte punonjës të mjaftueshëm për të korrat," thotë veprimtarja që mbështet imigracionin.

Votuesit në Arizona miratuan një propozim vitin e kaluar përmes të cilit hiqen disa shërbime sociale për emigrantë të paligjshëm. Disa përkrahës të reformës në imigracion e favorizojnë programin për punëtorët e përkohshëm, si ai i propozuar nga presidenti Bush. Por kritikët e shohin atë si një mënyrë të tërthortë për t’u dhënë amnesti njerëzve që shkelin ligjet amerikane të imigracionit, dhe akoma ndeshet me kundërshtime në Kongres. Por ndërkohë, imigrantët vazhdojnë të futen në Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG