Lidhje

Gjumi i pamjaftueshëm: Cilat janë shkaqet dhe pasojat?


Këtu në Shtetet e Bashkuara, një studim i ri i Fondacionit Kombëtar të Gjumit tregon se gjysma e amerikanëve nuk flenë mirë, të paktën disa netë në javë. Dy të tretat e amerikanëve thonë se kanë patur raste kur kanë ngarë makinën ndëkohë që kanë qënë përgjumshëm. Vetëm një e katërta e njerëzve flenë tetë orë në natë siç rekomandohet. Por problement e gjumit vihen re kryesisht tek adoleshentët.

Studiuesit thonë se adoleshentët kanë nevojë për së paku 9 orë gjumë. Por shumica e adoleshentëve amerikanë flenë vetëm shtatë orë gjatë ditëve të shkollës. "Adoleshentët janë njerëzit që flenë më pak në Amerikë," thotë Mary Carskadon, e cila merret me studimet për gjumin në universitetin Brown të shtetit Rhode Island. Ajo thotë se gjatë ndryshimeve biologjike që pësojnë adoleshentët gjatë pjekurisë ndikojnë tek sistemi i gjumit.

Trupi i adoleshentëve prodhon hormonin melatonin që ndihmon në shtyrjen e orarit të gjumit për më vonë se sa kur ata ishin fëmijë. Si rezultat, shumica e adoleshentëve nuk flenë para orës 11 të natës. Por ata duhet të shkojnë në shkollë në ora 7:30 e mëngjesit ose më herët, kur u fillon mësimi. Studiuesja tha se natë pas nate adoleshentët po shtojnë deficitin e pagjumësisë që ul aftësitë e tyre. Mungesa e gjumit gjithashtu ndikon tek gjendja shpirtërore e adoleshentëve. "Shumë adoleshentë që janë të mërzitur dhe të lodhur, tani marrin ilaçe për depresion. Por kjo mund të mos jetë depresion. Thjesht mund të jetë pagjumësi,” thotë studiuesja.

Disa shkolla e kanë shtyrë orarin e fillimit të mësimit për t’u dhënë mundësi nxënësve të flenë më shumë. Shkollat e mesme në Minneapolis e shtynë fillimin e mësimit nga 7:15 në 8:30. Duke fjetur më shumë, thonë studiuesit, nxënësit shfaqën shenja më të pakta depresioni dhe patën përmirësime në shkollë. Kyla Wahlstrom është eksperte në Universitetin e Minnesotës në Minneapolis.

"Ndikimi ka qënë i dukshëm dhe prindërit kanë thënë se fëmijët reagojnë më pozitivisht në shtëpi, kurse mësuesit thonë se nxënësit janë më të gatshëm për të mësuar," thotë Wahlstrom. Ekspertët thonë se nuk janë vetëm adoleshentët që kanë më shumë nevojë për gjumë...shumë të rritur kanë gjithashtu mangësi gjumi. Helene Emsellem drejton qendrën për çrregullimet e gjumit në Chevy Chase të shtetit Maryland. "Një nga gjërat më të rëndësishme është përballimi i shumë detyrave që kemi...që nga vajtja në shtëpi, përgatitja e darkës, kujdesja për fëmijët dhe pastaj gjetja e kohës që vet prindërit të pushojnë pak për vete," thotë zonja Emsellem.

Studiuesit thonë se me shtimin e njerëzve që vujanë nga pagjumësia, ata duhe t’i diskutojnë këto probleme më shumë me mjekun.

XS
SM
MD
LG