Lidhje

SHBA: Krijohet grupi i Kongresit për çështjet e Bashkimit Evropian


Një numër ligjvënësish dhe ekspertësh amerikanë të politikës së jashtme u mblodhën këto ditë për të formuar Grupin e Kongresit për çështjet e Bashkimit Evropian. Ky është një grup parlamentar informal që do të përpiqet të nxisë dialogun dhe mirëkuptimin midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës. Jaroslaw Anders përgatiti këtë material nga ceremonia e zhvilluar në selinë e Kongresit.

Krijimi i këtij grupi të ri në Kongres u njoftua me një ceremoni ku ishin të pranishëm politikanë, diplomatë dhe përfaqësues të medias. Një nga të ftuarit e posaçëm ishte zyrtari i lartë i Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtëme dhe të Sigurimit, Javier Solana.

Zoti Solana vuri në dukje se bota është më e sigurtg kur amerikanët dhe evropianët punojnë së bashku siç vepruan gjatë operacionit të përbashkët në Kosovë. Sot, tha ai, Bashkimi Evropian mund të shërbejë si shembull i një transformimi paqësor rajonal.

"Nëse flasim për ndryshime në shoqëritë e ndryshme, qoftë edhe ndryshime regjimesh, shihni Bashkimin Evropian, i cili filloi me shumë pak anëtarë ndërta tani ka 25, të paktën 10 prej të cilëve kanë jetuar për një periudhë të gjatë kohe pa mundësinë për të patur liritë që gëzojnë sot. Këto vende kanë bërë përpjekje të jashtëzakonshme pasi e dinin se poli manjetik që përfaqësonte Bashkimi Evropian, ishte diçka që ia vlente t’i afroheshin. Dhe ky pol manjetik i ka transformuar shoqëritë në mënyrë paqësore".

Një ndër nismëtaret e grupit, ligjëvënësja Jo Ann Davis tha se gjatë takimeve të saj me udhëheqësit evropianë kishte kuptuar se Evropa dhe Amerika përballen me shumë probleme të ngjashme, megjithëse përpiqen t’i zgjidhin ato me mënyra të ndryshme.

"Ne mund të mos biem dakord për çdo gjë por mendoj se komunikimi midis nesh është kyçi. Shpresoj se përmes këtij organizmi të ri, Kongresi do të njihet më mirë me Bashkimin Evropian dhe me operacionet e tij dhe kjo nuk do t’i lihet në dorë vetëm ligjvënësve që bëjnë pjesë në Komisionin e Marrëdhënieve me Jashtë të Kongresit".

Ambasadori amerikan në Bashkimin Evropian, Rockwell Schnauble, tha se njohuritë për Bashkimin Evropian midis amerikanëve të thjeshtë janë shumë të kufizuara, megjithëse Bashkimi Evropian mbetet partneri më i rëndësishëm ndërkombëtar i Amerikës.

"Sidomos kur del nga Uashingtoni dhe shkon në pjesën perëndimore të vendit, nga jam edhe vetë, vihet re se nuk ka shumë interesim. Madje një ditë dikush më pyeti: meqë ti do të bëhesh ambasador në Evropë, si shqiptohet shprehja Bashkimi Evropian?" Pra na duhet të bëjmë shumë punë me njerëzit".

Kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian në Uashington, John Bruton, tha se është diçka e mirë që grupi po krijohet pikërisht në javën kur po përkujtohet përvjetori i mbarimit të Luftës së Dytë Botërore në Evropë.

"Mendoj se simbolika e kësaj ngjarjeje është jashtëzakonisht e rëndësishme sepse ajo ka të bëjë me thelbin e Bashkimit Evropian. Bashkimi Evropian është një proces paqësor. Është procesi i pajtimit të njerëzve në një pjesë të botës që ka qenë ndoshta burim i më shumë luftrave se çdo pjesë tjetër. Këtu fjala është jo për pajtim mbi baza deklaratash mëshire por duke i bërë ata të varur nga njëri-tjetri".

Ambasadori Bruton shtoi se është po aq e rëndësishme si për evropianët edhe për amerikanët që të kujtojnë se Bashkimi Evropian lindi në një masë të madhe si rrjedhojë e nismës amerikane. Është koha, tha ai, që Shtetet e Bashkuara të deklarojnë se edhe ata kanë pjesën e tyre në krijimin e këtij institucioni.

Grupi i Kongresit amerikan për Bashkimin Evropian u krijua me nismën e një grupi institucionesh kërkimore të politikës së jashtëme, sidomos të Qendrës për për Marrëdhëniet Ndëratlantike pranë Universitetit Johns Hopkins dhe Konsorciumit Amerikan për Studimet Evropiane. Në të marrin pjesë 25 anëtarë të Kongresit.

XS
SM
MD
LG