Lidhje

SHBA-çështja e vizave me Kanadanë


Kufiri prej 9 kilometrash midis Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë është një prej kufijve më të hapur në botë dhe qytetarët e të dy vendeve mund të kalojnë lirisht pa pasaporta. Por një ligj i ri pritet ta ndryshojë këtë. Siç njofton korrespondenti ynë Craig McCulloch nga Vankuveri i Kanadasë, shumë persona, jeta e të cilëve lidhet me këtë liri lëvizje, janë të shqetësuar.

Pa gardhe ose pengesa të tjera, kufiri midis Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara është kufiri më i gjatë i pambrojtur në Amerikën e Veriut. Dhjetra miliona individë e kalojnë atë çdo vit. Kjo liri lëvizjeje sjell një aktivitet tregëtar prej 445 miliardë dollarësh çdo vit midis Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë. Për dekada me radhë, autoritetet amerikane nuk u kanë kërkuar udhëtarëve pasaporta.

Por sulmet e 11 shtatorit mund ta ndryshojnë këtë regjim. Pas një debati të gjatë dhe emocional në Kongres, Presidenti Bush nënshkroi vitin e kaluar ligjin për Reformën e Zbulimit dhe Parandalimin e Akteve Terroriste. Në bazë të tij, deri më 1 janar të vitit 2008, shtetasit amerikanë, kanadezë dhe meksikanë duhet të paraqesin pasaporta në kufi. Kryeministri kanadez Paul Martin thotë se ky plan ka shkaktuar shqetësime në veri të kufirit amerikan.

“Siç e dini, kjo është një masë si për kanadezët edhe për amerikanët. Është një masë për të cilën vetë presidenti amerikan ka shprehur një lloj skepticizmi dhe unë do ta ngre këtë çështje në takim.”

25 përqind e të ardhurave nga turizmi në Vankuver varet nga vizitorët që vijnë nga Amerika. Rick Antonson i agjencisë së turizmit në Vankuver thotë se agjencitë e ngjashme në mbarë Kanadanë po shprehin shqetësim rreth këtij ligji. Disa herë, thotë ai, qeveritë dhe udhëheqësit botërorë nuk i kushtojnë industrisë së turizmit rëndësinë e duhur kur ata marrin vendime që lidhen me sigurinë dhe imigracionin.

“Dhe industria e turizmit shpesh nënvleftësohet përsa i përket ndikimit, krijimit të vendeve të punës, kontributit në ekonomi dhe aftësisë për të krijuar vende pune. Ndërsa ne i kuptojmë nevojat e sigurimit, ne nuk duam që ligji të dëmtojë industrinë e turizmit në Amerikë ose Kanada.”

Darcy Rezac, drejtues i Bordit të Tregëtisë së Vankuverit, thotë se shumë prej anëtarëve të organizatës së tij janë të shqetësuar nga ndikimi që do të kenë masat e reja për biznesin në përgjithësi.

“Ne kemi 5 mijë anëtarë dhe një numër prej tyre e kanë ngritur këtë shqetësim. Organizata jonë është anëtare e dhomës së tregëtisë së Shteteve të Bashkuara dhe ne i kemi kërkuar atyre ta ngrejnë shqetësimin pranë qeverisë amerikane”.

Por jo të gjithë kanë ankesa ndaj ligjit të ri. Jim Phillips, president i Aleancës Tregëtare Ndërkufitare midis Amerikës dhe Kanadasë, mendon se në përgjithësi kërkesat e reja për pasaporta janë të mira pasi kjo do t’i nxisë si kanadezët edhe amerikanët të miratojnë programin NEXUS, një dokument që lejon procedura të përshpejtuara për kalimin e kufirit.

Në bazë të tij, vizitorët do të kontrollohen më parë nëç mënyrë që të shmanget nevoja për inspektim në kufi. Dhe ndërsa 90 përqind e popullsisë së Kanadasë jeton brenda 200 kilometrash nga kufiri me Amerikën, zoti Phillips parashikon probleme për ata që bëjnë vizita të paplanifiuara. Një pengesë tjetër, sipas zyrtarëve kanadezë është fakti që vetëm 25 përqind e amerikanëve dhe 40 përqind e kanadezëve janë të pajisur me pasaporta.

Në një takim të kohëve të fundit në Uashington, Presidenti Bush tha se mund të ketë rrugë të tjera më të mira për të lejuar kalimin e shpejtë të trafikut ndërkufitar dhe ka dhënë urdhër për të rishikuar kërkesën për paraqitjen e pasaportave. Ai thotë se forma të tjera identifikimi si për shembull shenjat e gishtave mund të shqyrtohen për këtë qëllim.

XS
SM
MD
LG